Dhuna e fisit Rraja në Krujë, Rama shkarkon Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm, postin do e marrë Taulant Balla

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të shkarkojë Bledi Çuçin nga detyra e ministrit të Brendshëm dhe në këtë post të emërojë Taulant Ballën. Vendimi i kreut të qeverisë erdhi pas dhunës së fisit Rraja për gurorë në Krujë.

Me anë të një postimi në Twitter, kryeministri njofton se propozimet do ia dorëzojë Presidentit të Republikës ditën e hënë. Rama falenderon Çuçin për punën korrekte dhe uron që Balla të vijojë përpjekjen për reforma shtet-ndërtuese.

“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim”, shkroi Rama.

Mbetet për t’u parë kush do të emërohet në krye të grupit parlamentar socialist, post që e ka mbajtur Balla që prej vitit 2017.

Vendimi i kreut të qeverisë për shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Ballës erdhi pas ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë që tronditi opinionin publik, dhuna e fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja për guroren në Krujë. Po ashtu, Rama mori këtë vendim pas daljes së fakteve që policia në Krujë kishte lidhje me dhunuesit dhe 40 denoncime nga qytetarët nuk ishin marrë seriozisht por flinin në sirtarët e policisë.

Banorët thonin se në vend që të merreshin masa, u kërcënuan me burg e pranga nga shefi i komisariatit të Krujës nëse dilnin të protestonin për të bllokuar aktivitetin e tyre.

Hetimet
Kryetari i degës që banori thotë se i ka kërcënuar me burg është ish shefi i komisariati të Krujës Elton Shahini, për të cilin Report TV mësoi se ishte larguar nga detyra vëtëm pak kohë më parë. Burime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë thanë se jo vetëm për rastin e sulmit barbar ndaj kushërinjve Maja, por për çfarë ndodh në Krujë, është ngritur një grup special hetimor. Do hetohet për kallëzime jo vetëm të fshatarëve të Borizanës, në lidhje me guroren që po u shëmb shtëpitë, por edhe të personave të tjerë, nga zyrtarë të lartë, pushtetarë vendorë, drejtues institucionesh, juristë, policë, shumë prej tyre të dorëhequr, si viktima të terrrorit, shantazhit dhe kërcenimeve.

Dhuna për guroren

Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhunë barbare.

Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.