Rastet e dhunës në familjet kosovare nuk po kanë të ndalur. Pothuajse çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku në shumicën prej tyre viktima janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e familjarët e tjerë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në fshatin Radostë të Rahovecit, ku një 45-vjeçare është përballur me vjehrrin e saj.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se rasti ka ndodhur dje, në orët e mëngjesit, kur viktima vendosi ta denoncojë në Polici babain e burri të saj, S.M., 75-vjeçar, i cili sipas saj i ka shkaktuar dhunë psikike, madje ka tentuar edhe ta rrah.
Në dëshminë e siguruara nga Sinjali, thuhet se gjithçka kishte nisur pasi vjehrri i saj e ka sharë e ofenduar e fjalë të rënda, e për të mos mbaruar me kaq kishte tentuar ta sulmojë me një copë të drurit.
Nusja e vjehrri kanë qenë në shtëpinë e tyre kur ky i fundit ka filluar ta ndjekë me një dru gruan e djalit, duke i shkaktuar shqetësim e frikë, për çka e detyroi atë të kërkojë ndihmë nga Policia.
Pas marrjes së informatës, njësitë policorë janë vënë në veprim dhe kanë intervistuar dy palët për të kuptuar rrethanat e ngjarjes. Gjatë deklaratës së dhënë para hetuesve rajonalë, i dyshuari nuk e ka pranuar veprën të cilën dyshohet se e ka kryer, duke mohuar se i ka shkaktuar dhunë nuses së tij.
Prokurori ka vendosur që i njëjti të dërgohet në repartin psikiatrik për kontroll, në Spitalin rajonal të Gjakovës dhe më pas të merren procedurat e tjera.