“Ditë e rëndë për Kosovën”, Osmani thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani reagoi menjëherë pas shifrave ditore të koronavirusit që treguan bilancin më të rëndë në vend që nga nisja e pandemisë, ku 36 persona humbën jetën.

Kryetarja e shtetit e konsideroi një ditë të rëndë këtë për Kosovën dhe përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve që të vaksinohen pasi vetëm kjo është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur.

“Ditë e rëndë sot për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë. Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit. Institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë”, shkruan Osmani.