Xhavit Drenori, organizator i protestës së sotme në Drenas për ndotjen që po shkakton fabrika e Ferronikelit, ka thënë se qytetarët gjithnjë e më shumë po preken nga sëmundje të rënda.
Ai në një intervistë tha se edhe këtë vit, bazuar në një hulumtim, është rritur shkalla e të prekurve me kancer dhe ai beson se kjo është pasojë e ambientit të ndotur.
Feronikeli vlerësohet ndotësi më i madh në Drenas, për çka sot edhe u protestua.
“Më 2015, kam mbledhur të dhëna se fakte nuk mund të mbledh. Të dhënat duhet të mblidhen nga institucionet përgjegjëse. Është IKSHPK-ja që më ka siguruar të dhëna se ka pasur rritje rapide të prekurve me kancer dhe të sëmundjeve tjera si pasojë e mjedisit të ndotur në Drenas. Edhe këtë vit është bërë një hulumtim dhe kjo shkallë është rritur. Problemi më i madh është se në nuk mund ta vërtetojmë se ky është shkaktari, por sot është lehtë të futesh në internet dhe të shohësh se shkaktari kryesor është mjedisi i ndotur”, ka thënë Drenori.