Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka shkruar se Forcave të Armatosura të Shqipërisë do t’i shtohet edhe një flotë me dronë “Bayraktar” nga Turqia.
“Dronët ‘Bayraktar’ që shumë shpejt do të bëhen pjesë e Forcave tona të Armatosura, janë teknologjia më e lartë e fluturimeve që përdoren për misione ushtarake, policore dhe civile. Kompletimi i Shqipërisë me flotën e këtyre dronëve, rëndësi e veçantë në funksion të sigurinë sonë kombëtare dhe asaj të Aleancës, si respektim i detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s.
Të përkushtuar për të përdorur teknologjinë më të avancuar në mbrojtjen e territorit tonë”, shkruan Peleshi, ndërsa ka shpërndarë bashkëngjitur edhe një video të dronëve Bayraktar.
Një vit më parë, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje për blerjen e 3 dronëve “Bayraktar”, por është ende e paqartë, nëse ministri i referohet në postimin e fundit dronëve për të cilët është nënshkruar marrëveshja një vit më parë, apo të tjerë do të bëhen pjesë e ushtrisë shqiptare.
Droni TB2 ka një hapje krahësh prej 12 metrash dhe mund të lëshojë bomba për të shkatërruar tanket dhe artilerinë me ndihmën e një lazeri. TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë. Droni mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Është e pajisur me 4 raketa. Pesha maksimale e dronit bombardues është deri në 650-700 kg.