Një dron ukrainas raportohet të jetë rrëzuar mbrëmë në Zagreb në një zonë të banuar, duke shkaktuar një panik të madh te banorët.
Sipas të dhënave paraprake, droni dyshohet të ketë fluturuar përmes Hungarisë e më pas është rrëzuar në Zagreb, duke nxitur autoritetet të nisin një hetim.
Presidenti kroat Zoran Millanoviç ka dalë në një konferencë për shtyp në lidhje me këtë ngjarje, duke e konsideruar atë një incident serioz.
“E ndjej detyrim t’i drejtohem opinionit. E dimë çfarë objekti është dhe nga ka ardhur. Ai ka fluturuar mbi Hungari për 40 minuta dhe shtatë minuta tjera i ka kaluar mbi territorin e Kroacisë. Është një incident serioz dhe ashtu po e trajtojmë. I kërkoj qytetarëve të jenë të qetë. Vlerësojmë se ky akt nuk ishte drejtuar kundër Kroacisë. Ky është një incident dhe duhet t’i shqyrtojmë çështjet procedurale. Kjo fluturake ka madhësinë e një aeroplani që peshon mbi 6 tonelata që u rrëzua në Zagreb”, deklaroi presidenti kroat.
Për ekspertët droni ka dalë nga kontrolli, por ata nuk e kuptojnë sesi ai mund të ketë kaluar disa orë mbi vendet anëtare të NATO-s dhe askush të mos e pikaste.