‘Duhet të zgjedhim’, Vucic: Ekonomia na varet prej Perëndimit me Rusinë kemi lidhje shpirtërore, duhet të kujdesemi për ardhmërinë e fëmijëve tanë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, në paraqitjen e tij në një televizion serb ka folur për ngjarjet e fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit dhe pranoi se Serbia gjendet në udhëkryq dhe presioni vetëm se do të shtohet ndaj tyre këto 6 muaj. Ai shtoi se kur të vjen koha për t’u përcaktuar nga Lindja ose Perëndimi nuk do të fshehë asgjë nga populli serb.

Që po afron koha që Serbia të zgjedhë orientimin politik strategjik e tha edhe presidenti serb Vucic duke u tërhequr vërejtjen opinionit serb se “atyre mund të mos u ngutet por nuk kanë edhe kohë”. E sa për presionin dhe ndërhyrjet e fuqive të madhe në marrëdhëniet e tyre të brendshme janë evidente tha ai në intervistën në televizionin serb TV Prva.

“Është evidente se ka ndërhyrje të fuqive të mëdha në marrëdhëniet tona të brendshme. Të gjithë duan që ti realizojnë synimet e tyre mbi shpinën serbe. Ju mjafton të shikoni deklaratat e zyrtarëve të Perëndimit dhe Lindjes ku të gjithë llogarisin që mu në Serbi të triumfojnë”.

Ai e ndërlidhi që konflikti në Ukrainë që është kriza më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore dhe vetëm se do të përkeqësohet dhe si rezultat presioni edhe ndaj Serbisë do të shtohet edhe për çështjen e Kosovës tha ai.

“Na pret kriza më e madhe që e kemi parë në botë që prej Luftës së Dytë Botërore. Kjo që kemi parë deri tani është asgjë me atë që na pret. Na pret një eskalim i madh. Në pesë a gjashtë muajt e fundit do të ketë betejat më të mëdha deri tani. Presioni do të jetë pakrahasueshëm ndaj Federatë Ruse. Do të jenë më i madh edhe për Kosovë e Metohi. Në këtë moment nuk është edhe aq e qartë se kush po fiton në Ukrainë. Është shumë e vështirë të mposhtet Perëndimi dhe unifikimi i tyre në këtë moment. Nuk kishte një unitet rus në fillim, por sot keni gati unitet komplet brenda popullit rus, posaçërisht pas njoftimit të dërgimit të tankeve gjermane në Ukrainë. S’kishte zgjidhje tjetër Scholz.”

Ai shtoi se në Serbi ky presion do të reflektohet ashtu që do të shtohet intensiteti shumë më tepër, megjithëse ishte i madh tani. “Jemi në mes të çekanit dhe kudhrit”. Vucic tutje dha shpjegimet për zgjedhjen që i pret serbët dhe çka rrezikojnë të humbasin e përfitojnë sipas tij, në të dy rastet, në përcaktimin e orientimit strategjik të Serbisë.

“Ne duhet ta kuptojmë që shumicën e investimeve i kemi nga Perëndimi dhe që jemi në rrugëtimin europian. Është budallallëk kur thonë që të gjitha këto duhet t’i braktisim, pasi nuk e dinë si funksionon shteti. Njejtë vlen edhe për ata që duan që ne të heqim dorë nga Çehovi dhe Çajkovski, të shkëputemi njëherë e përgjithmonë. Kjo nuk është Serbia, duhet të kujdesemi edhe për shpirtin e Serbisë si dhe interesat e fëmijëve tanë”.

I pyetur se çfarë do të ndodhë kur Serbia do të duhet të përcaktohet, presidenti serb Vucic bëri me dije se e ka ndërmend që të vazhdojë aq sa mundet me këtë lojën e neutralitetit duke premtuar se kur të vijë koha nuk do të fshehë asgjë.

“Na lejoni që t’i grahim kështu derisa të mundemi. Do ta them kur të vien koha të zgjedhim, nuk do të fsheh asgjë nga populli. Kjo është sikur kur keni gangrenë, e të zgjidhni ta këpusni këmbën apo të vdisni”.

Ai u pyet edhe për presionin e Rusisë dhe Amerikës përmes ambasadorëve të tyre në Beograd, që është shtuar kohëve të fundit. Atij iu shtrua pyetja se kë do të dëgjojë, ai u përgjigj se do ta dëgjojë veten, por shtoi poashtu se nuk është që ka edhe aq kohë. “Nuk po na ngutet askund, por nuk kemi edhe kohë për të humbur”.