Patriarku i Moskës dhe Gjithë Rusisë, Kirill, ka dërguar një mesazh ngushëllimi për Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse të Shqipërisë pas ndarjes nga jeta këtë të shtunë të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Patriarku Kirill shpreh ngushëllimet e tij për kishën Ortodokse të Shqipërisë, në emër të Kishës Ortodokse Ruse, por dhe në emrin e tij personal. Kirill shprehet se ka pasur një marrëdhënie vëllazërore të gjatë me Kryepeshkopin Janullatos, ndërsa shton se ndarjen nga jeta të tij e përjeton si humbje personale. Kirill e cilëson kryepeshkopin Janullatos si një nga udhëheqësit më të shquar të Ortodoksisë, ruajtës i traditave kishtare dhe i mësimeve të Etërve të Kishës.
Mesazhi i plotë i Patriarkut Kirill:
Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit. Në emër të klerit dhe besimtarëve të Kishës Ortodokse Ruse, si dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Zoti i dha Kryepeshkopit jetë të gjatë, të cilën ai e përkushtoi me zell ndaj veprës në vreshtin e Krishtit që nga rinia e tij. Duke iu përgjigjur thirrjes së Shpëtimtarit për të predikuar Fjalën e Zotit deri në skajet e botës (Veprat e Apostujve 1:8), ai nisi rrugëtimin e tij misionar si laik. Shërbimi i tij në kontinentin afrikan e tregoi atë si një predikues të zjarrtë, bari dhe ndërtues të jetës kishtare.