Një ngjarje e rëndë është shënuar për familjen Hoti Rahoveci, pasi djali i tyre 22-vjeçar Altin Hoti ka humbur jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni në Portogruaro në Itali. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, shkruan Gazeta Sinjali.
Vdekja tragjike e Altinit i shtohet dhimbjes që familja Hoti e kishte për djalin tjetër të tyre, i cili vetëm pak muaj më parë humbi jetën po ashtu në një aksident trafiku në moshën 18-vjeçare.
“I tronditur nga vdekja tragjike në aksident komunikacioni në Itali e të riut 22 vjeçar, Altin Hamëz Hoti nga Ratkoci. Edhe më tragjik e bën fakti që muaj më parë, poashtu në aksident komunikacioni, vdiq edhe vëllai i tij 18 vjeçar, Admiri! Viktima të aksidentit kanë qenë edhe dy të rinj tjerë, njëri shqiptar dhe tjetra italiane. Ngushëllimet më të sinqerta Hamzës dhe familjes Hoti! Ngushëlime familjes Gjeci nga Shqipëria dhe Di Tillio nga Italia! Altini, Egli dhe Giulia pushofshin në paqe”, tha Latifi në reagimin e tij.