Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vizituar sot një zonjë, të cilës 21 vite më parë serbët i vranë 4 djemtë e familjes dhe burrin.
Në foton e publikuar nga Kurti, në shtëpinë e Ferdonije Qerkezi shihen portretet e burrave të familjes dhe tavolina e shtruar për gjashtë persona, ndërsa ajo është e vetme.
Kurti thotë në shënimin e tij në facebook se eshtrat e Artanit dhe Edmondit janë kthyer në atdhe në vitin 2005, ndërsa nuk dihet asgjë për fatin e tre të tjerëve. Sipas Kurtit, ky është një krim i vazhdueshëm e një drejtësie të munguar.
Postimi i plotë:
Sot pasdite bisedova me zonjën Ferdonije Qerkezi nga Gjakova, në ditën që u mbushën 21 vjet prej kur forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen katër djemtë dhe burrin: Artanin, Edmondin, Armendin, Ardianin dhe Halimin.
Eshtrat e Artanit e Edmondit janë kthyer në vitin 2005. Asgjë nuk dihet sot e kësaj dite për fatin e tre të tjerëve.
Të pagjeturit janë plagë që kullon ankth. Dhembjet e vuajtjet e nënës Ferdonije sigurisht që ne s’arrijmë t’i marrim me mend.
Ky është një krim i vazhdueshëm pasi që është drejtësi e munguar. Të pagjeturit duhet të jenë çështja e parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi.