Edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në Kishën e Laçit

12 dhe 13 qershori shënon festën e Shna Ndout, ku mijëra njerëz i drejtohen Kishës së Laçit në shenjë sakrifice, falënderimi dhe lutjeje për t’iu plotësuar dëshirat.

Mes mijëra personave, këtë herë, ishte e pranishme edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila e bëri të ditur këtë me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Si mijëra njerëz në Shqipëri, vizitova Kishën e Shna Ndout në Laç, këtë mbrëmje, për të thënë një lutje të veçantë. Kur isha duke u rritur në Guam, shkova në Shkollën Shën Anthony. Unë kurrë nuk mund ta imagjinoja se një ditë do ta gjeja Anthony of Padova në Shqipëri. Shën Anthony na ndihmoftë të gjejmë atë që ka humbur. Ju ndihmoftë”, shkroi Yuri Kim.