“Edhe po të jetë, nuk e gëzojnë shqiptarët”! Lajmi për gazin shqiptar që “transformon botën” dhe disa shifra që befasojnë

Një artikull i National Geographic flet për një zbulim të rrallë në nëntokën e Bulqizës: gaz hidrogjen i pastër – një burim energjie ky i rinovueshëm “i aftë për të transformuar botën”, – shkruan media prestigjoze.

Komentet janë të shumta por shumë lexues janë skeptikë. “Edhe po të jetë, nuk do ta gëzojnë shqiptarët” – shkruan njëri prej tyre.

Ky mosbesim buron nga shfrytëzimi abuziv i pasurive natyrore të vendit këto 30 vitet e fundit. Në të vërtetë Shqipëria nuk është e varfër. Ajo është e vjedhur.

Shqipëria është vendi i dytë në Evropë për nga pasuria natyrore për frymë. Kemi naftë, krom, bitum, dhe bakër. Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, kemi më shumë pasuri natyrore për frymë seç kanë grekët, turqit, italianët dhe gjermanët.

Po ta kthenim në pará pasurinë natyrore një familje me katër persona do të përfitonte rreth 54 mijë $. Me një fjalë, vetëm prej pasurisë natyrore nuk do kishte asnjë familje të pastrehë.

Dhe të mendosh që pasuria natyrore zë vetëm 24% të pasurisë kombëtare. Shqipëria ka dalje në dy dete, ka 300 km vijë bregdetare, ishuj, tokë pjellore dhe klimë mesdhetare. Kemi rezervën ujore më të madhe në Evropë dhe kemi 300 ditë me diell, të cilat në kohën e energjisë së rinovueshme janë një pasuri e jashtëzakonshme.

Kemi gjithashtu një nga popullsitë më të reja në Evropë, dhe një shoqëri me një ambicje të jashtëzakonshme për edukim dhe avancim profesional. Për këtë mjafton të shohësh trendin emigrator dhe përqindjen e studentëve që shkojnë për të studiuar jashtë.

Mirëpo, në të njëjtën kohë, Shqipëria është një ndër vendet më të varfra në Evropë. Rrogat në Shqipëri janë më të ultat në rajon, duke mbetur pas edhe fqinjve si Maqedonia, që kanë një rrogë mesatare dy herë më të lartë se ne.

Dhe (jo pa mllef) lind pyetja: Si ka mundësi?

Ne jemi të varfër për shkak të politikanëve të korruptuar që na kanë qeverisur, por edhe prej politikave të gabuara që janë ndjekur. Një prej tyre është privatizimi i pasurisë publike dhe lënia e saj nën administrimin e privatëve.

Megjithëse privatizimi i pronës publike mori hov në fillim të viteve 2000, kjo politikë filloi të ndiqej menjëherë pas rënies së sistemit monist, ku ndërmarrjet shtetërore, uzinat dhe fabrikat u shkatërruan fillimisht dhe më pas u privatizuan për një copë bukë.

Në Shqipëri debati publik i asaj kohe u thjeshtua në dogmën shtet keq, privat mirë. Ndërsa në vendet e tjera të ish bllokut Lindor, privatizimi u legjitimua pak a shumë me argumentet e mëposhtme:

1. Shteti është i korruptuar dhe administratorët shtetërorë janë të paaftë. Prandaj, pasuria publike po u la në dorë të shtetit do keqadministrohet dhe në vend që të nxjerrë fitim, do kthehet në barrë për buxhetin e shtetit.

2. Shteti është i varfër dhe nuk ka mundësi që të bëjë investimet e nevojshme për të rritur rentabilitetin e këtyre ndërmarrjeve. Ndërsa privati ka mundësi që të investojë.

3. Privatët përmes administrimit më efektiv të pasurisë publik i sjellin më shumë para buxhetit të shtetit (me taksa e tatime), dhe ndihmojnë shoqërinë, përmes punësimeve dhe investimeve në komunitet.

4. Shteti, duke u lehtësuar nga administrimi, por edhe duke mos qënë palë në treg, ka mundësi që të kontrollojë tregun duke luajtur rolin e arbitrit. Kështu, shteti do i ketë duart e lira të sigurojë që kompanitë private nuk i sjellin dëme shoqërisë.

Le t’i testojmë një e nga një këto katër pretendime:

Për i përket argumentit të parë, nuk ka dyshim që shteti shqiptar është i korruptuar. Në hartën e Transparency International Shqipëria është me ngjyrë të kuqe, duke u renditur mes vëndeve më të korruptuara në botë. E megjithatë privatizimi nuk e zgjidh këtë problem, pasi një shtet i korruptuar edhe privatizimin e bën të korruptuar, duke dëmtuar interesin publik.

Një shembull ilustrues i kësaj mund të jetë privatizimi i rafinerisë së përpunimit të naftës, e cila u shit për 110 milion $, ndërkohë që vetëm rezerva nafte në depozitë kishte rreth 90 milion $. Pastaj u shit për skrap dhe aktualisht nuk kemi mundësi përpunim nafte.

Për më tepër, privatizimi nuk lejon ndëshkimin e politikanëve të korruptuar. Kur qeveria është e paaftë për të menaxhuar pronën publike, dhe administratorët shtetëror janë të korruptuar, kjo qeveri duhet të paguajë pasojat duke humbur zgjedhjet, ndërsa nëpunësit e korruptuar duke shkuar në burg. Në këtë rast, pasuria e vjedhur konfiskohet dhe i rikthehet publikut.

Ndërsa kur këta administratorë të paaftë dhe të korruptuar transferojnë pasurinë nga publiku tek privati, ata shpërblehen përmes korrupsionit. Jo vetëm kaq, por tashmë shteti angazhohet për të mbrojtur pronën e tyre « private », që deri dje na përkiste të gjithëve.

Argumenti i dytë, se shteti nuk ka para për të bërë investime bëhet qesharak, kur shikon se kush i ka privatizuar këto pasuri. Në fakt, shteti ka gjithmonë më shumë mundësi të investojë se sa privatët.

E para, sepse për shkak të ekonomisë së shkallës, shteti, duke patur monopolin, ka kosto më të ulta fikse, se sa dhjetra kompani që konkurojnë me njëra tjetrën.

E dyta, shteti, duke qënë i përjetshëm, mund t’ia lejojë vetes të bëjë investime që e kanë rikthimin afatgjatë. Ndërsa privatit i duhet të mbijetojë në treg dhe të jetë sa më fleksibël duke iu përshtatur nevojave të momentit, prandaj e ka të vështirë të bëjë investime që e kanë rikthimin disa dekada më vonë.

E treta, shteti, duke patur garanci më të mëdha ripagimi, jo vetëm që e ka më të lehtë për të marrë kredi se sa një privat, por përfiton edhe norma interesi shumë më të ulta.

Për këtë, shikoni se çfarë ka ndodhur me privatizimin e minierave të kromit. Prej disa vitesh janë dhënë dhjetra liçenca shfrytëzimi të galerive nëpër miniera, duke e bërë proçesin shumë më pak rentabël seç ka qënë edhe para viteve ‘90.

Këto kompani, për shkak të vështirësisë për të marrë kredi, kostove të mëdha fikse, dhe interesit afatshkurtër për CASH, nuk kanë bërë pothuajse asnjë investim thelbësor. Në momentin që flasim, nëpër minierat e kromit ende shfrytëzohen investimet dhe zbulimet e bëra në vitet ’80 nga regjimi i shkuar.

Prej dekadash nuk janë eksploruar burime të reja dhe ende punohet mbi hartat e dikurshme. Ndërkohë që mungesa e investimit për furra pjekjeje ka bërë që shumë prej tyre në vend që ferrokromit, i cili është më i kërkuar në treg dhe ka një çmim shumë më të lartë, arrijnë të eksportojnë vetëm krom të papërpunuar.

Argumenti i tretë, që kompanitë private duke qënë më efiçente kanë mundësi t’i sjellin përfitime shoqërisë ngjan më shumë me premtimet elektorale se sa me realitetin. E vërteta është se edhe nëse këta privatë janë më efiçent, janë për veten e tyre dhe jo për publikun. Në vende me korrupsion të lartë si Shqipëria, ato fshehin fitimin përmes një mijë e një manikacioneve, si rritja artificialisht e shpenzimeve apo regjistrimit nëpër streha fiskale jashtë vendit.

Po të shohësh bilancet financiare të këtyre kampionëve tanë, do shohësh se në mos të gjithë, pjesa më e madhe e tyre, deklarojnë se punojnë për pasion, se fitime nuk nxjerrin. Duke të bërë të dyshosh nëse janë vërtet të paaftë apo të korruptuar, por që nuk të lënë pikë dyshimi se për publikun nuk janë hiç më mirë se sa shteti.

Shembulli më ilustruesi kësaj është sërish privatizimi i rafinerisë së naftës, e cila përpara privatizimit deklaronte deri në 16 milion $ fitime. Pra derdhte në buxhetin e shtetit 16 million $ në vit. Po pas privatizimit ? Rreth 300 million $ detyrime të papaguara ndaj shtetit dhe 400 million $ borxhe ndaj bankave dhe privatëve. Ndërsa punëtorët, janë me ndihmë ekonomike sepse u bë kohë që janë hedhur në rrugë.

Argumenti i katërt mbi fuqizimin e shtetit si regullator në treg, duke kontrolluar privatin, është gjithashtu një fiasko. E vërteta është se privatizimi i pasurisë publike e dobëson edhe më tepër shtetin duke ia kufizuar mundësinë kontrolluese të tregut. Për këtë do mjaftonte të ndjekësh kronikën e zezë në zonat ku ka miniera për të parë se si sapo kaloi administrimi në duart e privatëve, u përfshinë në to grupet kriminale, dhe tashmë jo tatimorët por as policia nuk i kontrollon dot më.

Por le ta lëmë mënjanë këtë për një moment dhe më lër të të japim dy shembuj:

E para, aq e vështirë ka qënë për shtetin që të tatonte fitimet e konçesionarëve, sa u detyrua të kthehej tek strategjia e rentës minerare, që përdorej qindra vite më parë kur shteti nuk kishte as fuqi dhe as nerva të kontrollonte tregun. Pra shteti në vend që të tatojë vetëm fitimin e këtyre koncesionarëve, iu thotë « më jepni mua një të dhjetën e naftës apo kromit që nxirrni nga toka, dhe pastaj n’daç fitoni n’daç jo ».

Gjë që, nëse ata vërtet do ishin duke punuar pa fitim, do i kishte çuar në faliment, por që nuk ka ndodhur sepse ata i ruan Zoti.

Shembulli i dytë është ansambli i vajtimit publik që jep shfaqje të herë pas hershmë në Elbasan. Të këputet shpirti kur i shikon me kryetar bashkie, me deputetë zone, me ministra dhe inspektoriate që i luten privatit të mos ndosë ajrin se po vret qytetarët. Mirëpo privati nuk dëgjon nga ai vesh, sepse i bie më lirë të blejë një politikan se sa një filtër ajri.

« Mirë mo, mirë, po çfarë do bëjmë ? » është përgjigja kur diskutojmë për këto tema.

Nga sa u parashtrua më sipër, vjen natyrshëm përgjigja se zgjidhja është t’ia rikthejmë pasurinë e përbashkët publikut. Burimet natyrore të Shqipërisë janë pronë e çdo shqiptari dhe duhet të mbeten pronë e çdo shqiptari. Prandaj si fillim kontratat konçesionare të bëra si pasojë e korrupsionit apo që nuk kanë bërë investimet e parashikuara duhet të anullohen dhe pasuritë natyrore të rikthehen nën administrimin e shtetit.

Së dyti, duhet krijuar një fond shtetëror prej administrimit të pasurisë natyrore, duke ndjekur modelin e Norvegjisë, e cila me të ardhurat e naftës ka krijuar fondin më të madh shtetëror në botë. Eshtë me rëndësi që publiku ta ndjejë në mënyrë direkte fitimin nga shfrytëzimi i pasurisë së përbashkët, prandaj në fund të vitit dividenti i këtij fondi duhet të shpërndahet për çdo shqiptar.

Është gjithashtu e rëndësishme, që punëtorët e këtyre sektorëve dhe banorët e zonave përreth të përfitojnë direkt nga shfrytëzimi i pasurisë natyrore. Është e tmerrshme që në zonat më të pasura në Shqipëri jetojnë familjet më të varfra në vend.

Fatkeqësisht, deri më sot përgjegjësia sociale e konçesionarëve ka qënë pothuajse zero, duke mos ndërtuar as edhe një rrugë, kopsht apo shkollë për banorët përreth. Sikur mos mjaftonte kjo, madje i kanë shembur edhe shtëpitë apo shfrytëzuar fëmijët për puë të rënda fizike.

E nëse ende dikujt i kall datën idea që pasuritë natyrore të menaxhohen nga shteti, po i kujtojmë se privatizimet na kanë sjellë një kosto shumë të madhe sociale, duke nisur që nga rritja e pabarazisë, e cila sipas Forumit Ekonomik Botëror është gjithmonë e në rritje në Shqipëri.

Është e papranueshme që 3 % e popullsisë kanë të depozituara në banka më tepër para se 97% tjetër.

E sikur kjo të mos mjaftonte, politika të tilla nuk kanë sjellë as zhvillim eknomik. Është e tmerrshme që 30 vjet më vonë të jemi në këtë situatë. Teksa minisitri i ekonomisë mburrej pak muaj më parë se Shqipëria ka një rritje ekonomike 4.2 %, në vitin ’89, vetëm një vit përpara rënies së diktaturës, kur shqiptarët nuk kishin bukë të hanin, e zgjoheshin në 5 të mëngjesit për të shkuar në rradhën e qumështit, rritja ekonomike ishte 10%.

Mesa duket, në këto vite nuk kemi humbur vetëm naftën dhe kromin, por edhe paratë, të cilat kushedi se në ç’llogari bankare të Panamasë prehen, dhe në ç’bodrum të resorteve kodrinore kalben.

Para se ta mbyllim, le të tregojmë si do ishte menaxhimi i këtyre burimeve nga një shtet i drejtuar prej njerëzve të ndershëm dhe të aftë, duke të dhënë vetëm tre shifra:

E para, në Shqipëri nxirret deri në 1.4 milion ton naftë në vit, ndërkohë që nevojat e tregut tonë janë 500 mijë ton. Pra, nëse do e menaxhonte shteti, me kapacitetin përpunues që kemi, dhe cilësinë e naftës që nxjerrim, do kishim mundësi të mbulonim nevojat e tregut tonë, pa qënë nevoja për të importuar naftë nga jashtë. Dhe kjo, ende pa Shpiragun

E dyta, minierat shqiptare nxjerrin rreth 100 mijë ton krom çdo vit, për të cilin, nëse do ishin menaxhuar nga shteti duke bërë investimet e duhura, do të kishim futur në buxhetin e shtetit 60 million $.
E treta, vetëm në dekadën e fundit privatët kanë nxjerrë rreth 9 million ton naftë nga rezervat tona nëntokësore.

Nëse kjo do të ishte menaxhuar nga shteti, do kishim të paktën 600 milion $ më shumë në buxhetin e shtetit. Për t’i vënë këto 660 million $ në perspektivë, po të kujtoj se i gjithë fondi për ndihmën ekonomike është 26 herë më i vogël (25 million $).

Me fjalë të tjera, vetëm nga fitimet e kromit dhe naftës ne do kishim garantuar se 26 vitet e fundit (ose të ardhshme) në Shqipëri nuk do kishte më asnjë fëmijë të varfër. Por në fakt çfarë kemi bërë?

Thjesht kemi shtuar palat në barkun e dhjamur të disa oligarkëve.