Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe zyrtarisht e ka tërhequr padinë për shpifje që e kishte bërë ndaj ish’kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt. Gazeta Express ka siguruar aktvendimin ku konstatohet tërheqja e padisë.
Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama që qëndroi për vizitë dy ditore në Kosovë nuk arriti që krahas takimeve me liderët e vendit, të shihet edhe me ish’kryeministrin e Kosovës, e kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn me të cilin ka një kohë që të dy i kanë marrëdhëniet e acaruara.
Megjithatë, kryeministri Rama tha dje para mediave se do të tërheq padinë për shpifje që kishte bërë për Haradinajn.
“E kam njoftuar që s’do të bëj komunikim me mediat në çdo derë. I kam treguar se do ta tërheq padinë. Jo se ajo është e vogël për mua, por është me e madhe ajo që do të na bashkojë të gjithëve. Nuk e di çfarë roli do të ketë heqja e padisë. Për më tepër me padi pa padi, Ramushi për mua nuk është kryeministri, politikani, është një prej figurave historike. Kështu që padia do të tërhiqet zyrtarisht”, ka thënë Rama dje në paraqitjen që pati nga aeroporti i Prishtinës.
Madje, Rama e ka nënshkruar personalisht tërheqjen e padisë ndaj Ramush Haradinajt
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kishte paditur në janar të këtij viti ish’kryeministrin, atëherë në detyrë, Ramush Haradinaj, për shpifje”.
Kjo pas disa deklaratave që Haradinaj kishte dhënë për Ramën dhe për idenë e shkëmbimit me territore.