Mehmet Ceyhan, profesor në Universitetin Hacettepe në Ankara, ka thënë se rregulli i parë për mbrojtjen kundër virusit është ruajtja e mirë e higjienës, veçanërisht larja e shpeshtë e duarve.
Sipas tij, virusi mund të përhapet tek njerëzit gjatë periudhës së tij të inkubacionit, i cili varion nga dy deri në 14 ditë.
“Ky virus përhapet përmes organeve të frymëmarrjes, ashtu sikur gripi, meningjiti, pneumonia dhe fruthi. Në rastet e SARS dhe MERS, infektimi mund të ndodhë pasi të fillojnë simptomat, por në COVID-19, infeksioni ndodh në periudhën e inkubacionit. Për këtë arsye, është me rëndësi jetike të merren masa paraprake, të zbatoni izolimin shoqëror dhe të jeni të kujdesshëm në lidhje me higjienën”, thotë Ceyhan.
Coronavirusi është më ngjitës sesa SARS dhe MERS, shtoi ai, me raport 3 ndaj 1,8, respektivisht 2.
Profesori ka thënë për Anadolu Agency se ende nuk ka ndonjë vaksinë për coronavirusin, ndërsa kërkimet vazhdojnë.
“Ne nuk e dimë nëse do të zhvillohet ndonjë vaksinë, apo nëse është zhvilluar ndonjë, dhe sa të suksesshme do të jenë rezultatet. Nuk ka garanci”, shprehet ai.
Duke folur për hulumtimin e vazhdueshëm të vaksinave në SHBA, ai tha se “Vaksina për të cilën SHBA është duke punuar është e ndryshme”.
“Ata po rishikojnë vaksinën e zhvilluar më parë për SARS, por që nuk është përdorur, për të parë nëse do të jetë efikase te COVID-19. Gjenetikisht, COVID-19 është 85 për qind i ngjashëm me virusin SARS”.
Ai arriti në përfundimin se ekzistojnë tre skenarë të mundshëm për përfundimin e pandemisë.
“Shumë njerëz do të bëhen imunë duke ndaluar përhapjen e virusit, ose do të zbulohet një vaksinë dhe njerëzit do të bëhen imunë në këtë mënyrë. Mundësia e tretë është që virusi të pësojë mutacion dhe të humbasë fuqinë për të infektuar njerëzit. Pandemia mund të përfundojë vetëm me njërin nga këto tre skenarë. Në rastin e SARS, u konstatua se virusi pësoi mutacion dhe përfundoi në atë mënyrë”.
Coronavirusi (COVID-19) ka marrë më shumë se 15.000 jetë në gjithë botën, me më shumë se 349.000 raste të konfirmuara globalisht, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA.