I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja e përkrah iniciativën “Ballkani i Hapur”.
Gjatë fjalimit të tij nëpërmjet një videolidhjeje, Escobar, ka bërë disa propozime, ndërsa ka thënë se nëse kjo iniciativë është e suksesshme atëherë duhet të jetë e hapur për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që të përfshihen në nivel të njëjtë.
“SHBA-ja e përkrah Ballkanin e Hapur. Duhet punuar jo vetëm në bashkëpunim rajonal ekonomik, por edhe në bashkëpunim për integrim në struktura evropiane. Ka shumë iniciativa për krijimin e një integrimi ekonomik. Ballkani i Hapur është një nga këto iniciativa. E afron rajonin, promovon paqen e stabilitetin. Besojmë se kjo nëse ka sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik, duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë”, tha Escobar.
Escobar ka thënë se SHBA-ja e sheh Ballkanin Perëndimor nga prizma e shekullit të 21-të e jo nga problemet e shekullit të 20-të. Ai ka vlerësuar se mundësitë janë shumë të mëdha në Ballkan Perëndimor. Escobar ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor ka rritje të madhe ekonomike, ndërsa ka potencial të jetë qendër e energjisë ripërtëritëse, qendër e gazit natyror, e të ndihmojë Evropën të lirohet nga varshmëria nga gazi rus.
“Ballkanin e Hapur” e ka quajtur iniciativë shumë të mirë, ndërsa ka propozuar që të ketë bashkëpunim edhe me iniciativa tjera që ekzistojnë në rajon.
“E kuptoni se nuk do të bëhet duplifikim i punëve, por integrim më i mirë”, tha Escobar.
Ai ka thënë po ashtu se liderët duhet të punojnë për të krijuar kushte më të mira për investuesit. Për të ndihmuar investuesit që dëshirojnë të punojnë në përputhje me ligjet.
“Më në fund ju mbështet që kjo iniciativë të jetë ekonomike, nuk është projekt politik, por i rëndësishëm ekonomik, e me rëndësi edhe të ngelet ashtu. Të fokusohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit”, tha Escobar.
Ai ka premtuar përkrahjen e SHBA-së në luftën kundër shpëlarjes së parave dhe rritjen e standardeve në pikëkalimet kufitare me teknologjitë më të larta që i ka në dispozicion.
Abazoviq: Politikat e kaluara kanë qenë të konflikteve, t’u jepet shans nismave të reja
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se duhet të ketë një të ardhme më të mirë të bazuar në zhvillimin ekonomik.
Ai ka thënë se në Mal të Zi përveç liderëve aktual pret edhe kryeministrin e Kosovës që në Mal të Zi të shkojnë e të diskutojnë për nismat e reja në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.
Abazoviqi thënë se pavarësisht nga ajo se si quhen nismat që mund të sjellin progres, do ta kenë mbështetjen e Malit të Zi.
Sipas tij, hapi i parë është që të ketë marrëdhënie të mira dhe dialog.
Ai ka thënë se politika e së kaluarës ka qenë politikë e konfliktit dhe nuk ka sjellë asgjë të mirë.
“Kjo shpie drejt asaj që të mos kemi frikë nga njëri-tjetri dhe së bashku të krijojmë klimë të progresit në rajon. Politikat e fundit, politikat e theksimit të konflikteve të vazhdueshme na kanë mbajtur këtu ku jemi tani. Ne duhet ta ndryshojmë këtë. Kur kemi liderë të Ballkanit Perëndimor që flasin kundër njëri-tjetrit, atëherë na mbanë sa më larg BE-së. Kur të jemi këtu gjashtë persona atëherë mesazhi drejt BE-së do të jetë ndryshe”, ka thënë ai.
Abazoviqi ka thënë se duhet ndryshuar mentaliteti në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se nëse dikush mendon se i vetëm mund t’i përmbushë të gjitha nevojat atëherë e ka gabim.
Sipas tij, duhet dhënë shans nismave të reja.
“Ne duhet të bëjmë ribrendim të Ballkanit Perëndimor, që të bëhet kjo ne duhet të rrisim besimin mes njëri-tjetrin. Unë pres që edhe me kryeministrin e Kosovës të vini në Malin e Zi dhe të flasim për nismat e reja. Kjo është mënyra e vetme se si mund të dëshmomi para qytetarëve tanë. Mënyra është që temat optimiste të mbizotërojnë. Ideja e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk duhet të shikohet si ide e një politikani. Kjo është ide se si qytetarët mund të shfrytëzojnë ndonjë shërbim më të lehtë. Nëse kjo mbetet dhe zhvillohet si e tillë, atëherë do të ketë ende më shumë mbështetje për këtë ide”, ka thënë ai.
Sipas tij, nuk ka rëndësi se kush është në pozitë më të mirë integrimi, pasi ideja e të gjithë liderëve është të bëjmë sa më shumë për qytetarët tanë.
Abazoviq ka thënë se politika e së kaluarës ka qenë politikë e konfliktit dhe nuk ka sjellë asgjë të mirë.
E kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, ka thënë se komuniteti i biznesit në vend dhe qytetarët boshnjak e mbështesin këtë nismë, por sipas tij, ata që marrin vendime nuk kanë konsensus.
“Bosnja s’ka konsensus fatkeqësisht për të qenë pjesë e Ballkanit të Hapur. Nuk ka përgjigje serioze pse. Nuk ka as përgjigje negative. Thjesht është një heshtje. Ajo qëndron në sirtar te ata që duhet të vendosin. Shkaqet janë paragjykimet nga e kaluara, se kush është iniciator i kësaj nisme. Dhe normalisht në Bosnjë ka individë, ambasada që marrin vendime dhe që thonë se ende nuk duhet të jemi pjesë e Ballkanit të Hapur. I gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e mbështet këtë nismë. Numri më i madh i qytetarëve mbështet këtë projekt”, ka thënë Tageltija.