Peshkatarët francezë kanë kërcënuar se do ta bllokojnë qarkullimin e mallrave në prag të Krishtlindjeve për në Britani për shkak të mosmarrëveshjes rreth të drejtave për peshkim pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.
Paralajmërimi i peshkatarëve francezë erdhi pas njoftimit të muajit të kaluar se atyre nuk u janë dhënë lejet për peshkim afër bregdetit të Jersey-t. BE-ja beson se ky vendim është në kundërshtim me marrëveshjen e Brexit-it, të cilën e ka nënshkruar me Britaninë e Madhe.
Si reagim ndaj këtij vendimi, peshkatarët francezë kanë thënë se mund t’i bllokojnë mallrat e përcaktuara për transportim drejt Britanisë në portet në Calais dhe Dunkirk si dhe në tunelin e Kanalit Anglez.
“Po presim deri të premten dhe pastaj do ta organizojmë veten për të sulmuar”, tha peshkatari Laurent Merlin, shkruan Independent, transmeton Gazeta Express.
Duke folur nga porti francez në Boulogne-sur-Mer, ai shtoi: “Do të krijojmë aq pengesa sa mundemi, duke i bllokuar gjërat për të cilat Britania ka më së shumti nevojë. E pamë mungesën e gazit, do të mundohemi të krijojmë mungesë të diçka tjetër. Jemi të gatshëm për të bllokuar gjithçka. Na duhet kjo leje peshkimi dhe do të bëjmë gjithçka për ta marrë atë.”
Menaxheri i komisionit lokal të peshkimit, Benoit Firmin, tha se, nëse bllokada realizohet, ndoshta do t’i shënjestronte furnizimet për Krishtlindje dhe do të ishte më e gjerë sesa vetëm në portin në Boulogne.
Ai madje u tall me krizën në zinxhirin e furnizimit në Britaninë e Madhe, duke thënë: “Ne ende s’kemi bllokuar dhe tashmë ka mungesë ushqimi, karburantesh e stafi (në Britani).”