Eurodeputetja gjermane e Parlamentit Evropian nga Grupi i të Gjelbërve, Viola von Cramon-Taubadel, i ka thënë kreut të LDK-së, Isa Mustafa, se ai s’duhet të shqetësohet për aspiratat e Kosovës drejt BE-së.
Viola von Cramon, përmes një reagimi në Twitter ka bërë me dije se politikanët, pa marrë parasysh nga cila familje politike vijnë, janë duke u munduar të bëjnë të mundur integrimin në Bashkim Evropian, reformat e stabilitetin, jo vetëm të majtët.
“Jam e lumtur t’i tregoj Isa Mustafës se PE-ja është në anën e Kosovës për aspiratat e saj në BE. Ai s’duhet të brengoset, sepse politikanë nga familje të ndryshme partiake, përfshirë edhe familjen e partisë së tij, EPP-në, po e mbështesin integrimin në BE, reformat, institucionet e qëndrueshme dhe funksionale, e jo vetëm të majtit”, shkroi ajo.
Këtë postim, Von Cramon e bëri si kundërpërgjigje ndaj një postimi të djeshëm të kreut të LDK-së, i cili foli për raportet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në.