Deputetja gjermane e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, thotë se ky institucioni legjislativ i BE-së do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, në veçanti për liberalizimin e vizave.
Von Cramon, që është deputete e Grupit të të Gjelbërve në PE, në një intervistë për KOHËN, thotë se barra, megjithatë, tash më së shumti bie tek Berlini. Ajo kujton se Gjermania nga 1 korriku i këtij viti merr përsipër Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, prandaj ajo shpreson se kancelarja Angela Merkel do ta shfrytëzojë këtë rast që ta heqë regjimin e vizave për kosovarët në zonën Schengen.
“Në Parlamentin Evropian, veçanërisht ne në Grupin e të Gjelbërve, jemi të vetëdijshëm që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret teknike të kërkuara. Prandaj, i takon Këshillit – e këtu më së shumti Berlinit – që të heqë regjimin e vizave. Kjo pa dyshim është koha e duhur për ta hequr këtë regjim vizash në kohën kur Gjermania do të drejtojë Këshillin e BE-së nga 1 korriku 2020 e tutje. Shpresoj që zonja Angela Merkel më në fund ta shfrytëzojë këtë mundësi”, tha von Cramon.
Deputetja gjermane, e cila ishte edhe kryesuese e Misionit mbikëqyrës të Bashkimit Evropian në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 të mbajtura në Kosovë, thotë se “gjithçka mbetet në duar të Këshillit, e jo të Qeverisë së Kosovës”.
“Kosovarët bënë gjithçka që iu kërkua. Janë përmbushur të gjitha kërkesat dhe standardet, pra kosovarët i bënë detyrat e shtëpisë. Është vetëm Këshilli, qeveritë e shteteve anëtare të cilat nuk kanë dhënë dritën e gjelbër. Por ne duhet ta sqarojmë: është koha e tyre që tash të vendosin, e jo Qeveria e Kosovës”, tha Viola von Cramon, duke shtuar se “çdo ditë që kalon pa një vendim për liberalizim, është sinjal i gabuar”.
Vlen të theksohet se përderisa Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën, Këshilli i Ministrave i BE-së ende nuk e ka bërë këtë, për shkak se disa nga vendet anëtare të BE-së konsiderojnë se Kosova nuk e ka përmbushur kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë.
Anëtarja e PE-së tutje thotë se është e padrejtë për kosovarët, që pavarësisht se i plotësuan kriteret e nevojshme, të vazhdojnë të mbahen peng i liberalizimit.
“Kosovarëve duhet t’iu hiqen vizat. Pikë! Kosovarët i plotësuan të gjitha kriteret e kërkuara, çka tjetër duhet të bëjnë? S’është aspak e drejtë t’i ndryshosh rregullat në mes të lojës! Dhe me të vërtetë ka një mirëkuptim në Parlamentin Evropian për këtë çështje: të gjithë pajtohemi se regjimet pa viza bazohen në kritere të caktuara teknike, dhe jo në vullnetin e Këshillit. Sapo vendi të jetë gati teknikisht, kjo s’varet më nga vendimi. Në këtë rast, Këshilli po e shtyn vendimin tash një vit e gjysmë”.
“E them me optimizëm të matur: ka presion të madh për shumë vende anëtare për të ecur përpara me integrimin e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, hapi më i rëndësishëm do të ishte fillimi i negociatave për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, për t’i dhënë sinjal pozitiv Kosovës – pra heqja e vizave duhet të jetë mundësi e shkëlqyeshme për të dyja palët”, shtoi tutje ajo.
Franca dhe Holanda, ndër tjera, mbeten shumë skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën.
KOHA e ka pyetur anëtaren e PE-së, Viola von Cramon-Taubadel, se pse, nga informacionet që ajo ka, e kundërshtojnë këto shtete kaq shumë liberalizimin. Ajo thotë se ka dëgjuar se fluksi i madh i emigrantëve të paligjshëm e azilkërkuesit i frikësojnë ata.
“Është e vështirë edhe për mua t’i kuptoj, sinqerisht. S’jam e sigurt nëse e kuptojnë se reputacioni ynë është në rrezik. Kam dëgjuar thashetheme se ata kanë frikë nga fluksi i emigrantëve të paligjshëm që punojnë dhe nga ata që kërkojnë azil pa ndonjë arsye të fortë. Por, nëse ky është problemi i tyre, atëherë nuk është faji i Kosovës. Nëse autoritetet e tyre nuk mund të merren me punëtorë të paligjshëm dhe të zbatojnë rregulloret e tyre, pse atëherë i ndëshkojnë qytetarët e zakonshëm që duan të udhëtojnë, punojnë, vizitojnë ose jetojnë në vendet tjera të BE-së në mënyrë të ligjshme?”, u shpreh në fund të intervistës von Cramon.
Më 6 dhe 7 maj të këtij viti, në Zagreb do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku pritet që çështja e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës të jetë një nga pikat që do të diskutohen.
Gjatë muajit të kaluar, në Munih u mbajt Konferenca e Sigurisë ku morën pjesë liderë bote. Aty i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku mes tjerësh, kishte takuar edhe homologun e tij kroat, Andrej Pllenkoviq, i cili i kishte thënë Kurtit se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën të afrohet me BE-në, sikurse edhe për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…
Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…
Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…
Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…
Autori i vrasjes së një polici dhe plagosjes së një efektivi tjetër mëngjesin e sotëm…