Pas 36 vjetëve jetesë në Zvicër, një familje është kthyer për të jetuar në fshatin Raçë të komunës së Gjakovës.
Bëhet fjalë për familjen Dilla, nga e cila, për Klan Kosovën, janë shprehur se ka qenë ëndërr e kamotshme e tyre për t’u kthyer në Kosovë.
“Kur kemi vendosur të shkojmë në Zvicër, ka qenë periudhë tjetër. Ne e kemi quajtur mërgim të përkohshëm dhe kemi dashur të kthehemi, por nuk kemi mundur edhe aq shpejt, pasi kemi pasur edhe obligime ndaj fëmijëve”, është shprehur Gjon Dilla.
Tutje ai e ka falënderuar bashkëshorten e tij për mbështetjen në lidhje me kthimin në Kosovë, teksa ka thënë se kanë vendosur që vitet e fundit të jetës t’i kalojnë në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Kjo e fundit u shpreh si e kanë pritur gjatë kthimin në Kosovë.
“Ka qenë ëndërr e burrit tim të kthehemi në Kosovë dhe unë kam bërë çmos t’ia realizoj këtë ëndërr, për të dhe për vete. Kthimi në Kosovë ka qenë i vështirë derisa jemi ambientuar, por nuk jemi penduar që jemi kthyer, jemi shumë të lumtur”, është shprehu Zoje Dilla.