Për nënë Ferdonie Qerkezin, çdo ditë është e rëndë, por 27 marsi – dita kur më 1999 iu rrëmbyen dhe iu vranë bashkëshorti me katër djemtë si dhe 27 prilli – Dita e të Pagjeturve në Kosovë, rëndojnë më shumë për të.
Qerkezi, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se ditën e sotme, atë për të Pagjeturit në Kosovë, e kaloi më lehtë me vizitat që kishte dhe ftesat nga mediat.
“Sot isha shumë e mërzitur, por meqë kisha vizita të shumta, edhe nga mediat, e kalova më lehtë. Sivjet ishte më ndryshe për shkak të situatës me koronavirusin. Sonte iu bashkuam thirrjes për fikjen e dritave në shenjë solidarizimi me familjet e të pagjeturve. Edhe ne në Gjakovë e kemi respektuar këtë thirrje”, ka thënë Qerkezi.
Ajo ka thënë se edhe 21 vjet pas mbarimit të luftës, Kosova nuk po e gëzon lirinë që dhanë jetën bashkëshorti i saj Halimi dhe katër djemtë si dhe mijëra shqiptarë të tjerë.
“Liria ende nuk o qysh e kemi prit, por ishalla tash e prapa shkon në vijat të drejta, siç duhet”, tha nënë Ferdonija.
Ajo thotë se kryeministri në detyrë Albin Kurti, i ka premtuar më shumë punë në gjetjen e trupave të familjarëve të saj dhe të tjerëve. Sipas saj, Qeveria ka mundur të punojë edhe më shumë në këtë drejtim.
“Edhe institucionet e huaja i kanë kurthu punët pak, nuk po lejojnë të ecet puna para. Ndërkombëtarët duhet me iu bë më shumë presion e që atë presion ta bartin te shkijet. Në nuk jemi kriminelë, ata kanë ardhur këtu te ne, na kanë kallur dhe na kanë vrarë. Shkijet e dinë ku janë trupat, por nuk po e tregojnë të vërtetën.
Shpresoj që të këndellën dhe të na i gjejnë trupat, të bashkëshortit tim dhe djemve tanë, të gjithë Kosovës”, shtoi ajo.
Qerkezi pohon se nuk do të dorëzohet derisa të jetë gjallë në kërkim të të pagjeturve. Forcë për këtë i jep edhe një fjalim i bashkëshortit pak para se ta rrëmbenin më 1999 në Gjakovë.
“Forcën ma ka dhënë Zoti, edhe mendjen. E mbaj mend fjalimin e bashkëshortit Halimit, por edhe të djemve, që kur nisi bombardimi thanë se duhet të përgatitemi edhe për më të keqen. Ata e dhanë jetën për liri, kështu që unë e kujtoj atë që më thanë. Edhe baba im më tha që nuk bën me u lig, për mos me i lig ata për së vdekti”, shtoi ajo.
Qerkezi falënderoi popullin që siç tha po e përkrah në çdo moment.
“Edhe mediat po më përkrahin, për këtë unë jam më e fortë. Edhe pse kam dhënë burrin me katër djemtë, kam përkrahjen e popullit dhe kjo është pasuria më e madhe”, u shpreh nëna nga Gjakova.
Ajo foli edhe për deklaratat e sotme në media ku u fol për amnistimin e krimeve të Serbisë, si pjesë e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi.
“Unë nuk e kam dëgjuar direkt, por mua më erdh shumë keq prej Batonit. Por ne nuk kemi shkuar në Serbi, ata kanë ardhur këtu me na vra e me na zhduk. Ai e ka korit veten dhe ia ka qit hijen vetes dhe familjen. Shkijet duhet me na kërku falje neve, me ata nuk ka besë. Shpresoj që drejtësia të vijë në vend, ata që kanë kryer krimet duhet me u dënu, qoftë për së gjalli apo për së vdekti”, nënvizoi Ferdonije Qerkezi.