Franca ka mirëpritur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Francës për Evropën dhe Punët e Jashtme, shteti francez i bën thirrje Kosovës të vazhdojë reformat e nevojshme për afrimin e saj me Evropën, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
“Franca do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e ndërmarra në këtë fushë”, thekson komunikata, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Aty po ashtu bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në të, duke potencuar se ky është kusht thelbësor për afrimin evropian të të dy vendeve dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.
“Franca mbështet perspektivën evropiane të Kosovës, njësoj si atë të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Franca i bën thirrje Kosovës që të vazhdojë reformat e nevojshme për afrimin e saj me Evropën, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e personave që u përkasin pakicave. Franca do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e ndërmarra në këtë fushë.
Kosova, ashtu si Serbia, duhet gjithashtu të angazhohen me përgjegjësi dhe konstruktivitet në dialog me synimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që është kusht thelbësor për afrimin evropian të dy vendeve dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”, thuhet në komunikatën e plotë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dorëzuar të enjten zyrtarisht në Pragë aplikimin e Kosovës në BE.
Në fjalimin e tij në ceremoni të dorëzim-pranimit të dokumentit zyrtar, Kryeministri Kurti tha se kjo është një ditë historike për vendin tonë.