“Gënjeve”- Gjergj Dedajt i reagon Presidenca pas deklaratave nga Haga

Bekim Kupina, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratave të ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, teksa po dëshmonte për rastin Thaçi dhe të tjerët në Hagë.

Kupina, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se referimi i Dedajt ndaj Osmanit si “e ashtuquajtur” është i njëjtë me atë të Serbisë.

“Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me Presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është “e ashtuquajtur”, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës”, ka deklaruar ai në ‘Facebook’.

Tutje, Kupina ka thënë se Dedaj ka gënjyer se presidentja Osmani e largoi nga pozita e ambasadorit për ta zavendësuar me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriun.

“Së pari, Presidentja Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj. Të hoqën shkeljet e tua. Së dyti, bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj ti jo që s’e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra”.

“Ne ende jemi në pritje të drejtësisë për kërcënimet me jetë që i ke bërë publikisht ndaj Presidentes dhe familjes së saj”.

Dedaj përgjatë dëshmisë së tij ka thënë se është shkarkuar, siç tha ai dhunshëm, nga detyra e ambasadorit nga Vjosa Osmani, presidentja e vendit, teksa në vend të tij është emëruar bashkëshorti i presidentes, Prindon Sadriu.

“Së fundmi kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam larguar dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuqujtuara presidente Osmani për qëllime politike, sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj dhe në bashkëpunim me ambasadën turke në Shkup më ka largu nga pozita ambasadorit”, ka thënë ai.