Ministrja ePunëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka mohuar raportimet se brenda koalicionit qeverisës ka mosmarrëveshje. Ajo po ashtu e ka mohuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar dorëheqjen.
Përkundrazi, sipas saj drejtuesit e institucioneve asnjëherë “nuk kanë qenë kaq unik”.
“Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, asnjë herë më parë, që nga pavarësia e këndej, nuk kanë qenë kaq unik dhe nuk i kanë bashkërenduar kaq mirë veprimet dhe vendimet e tyre në të mirë të forcimit të shtetit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Republikës”, ka shkruar ajo.
“Masat e menjëhershme dhe të suksseshme të qeverisë për të mos lejuar rritjen artificiale dhe të shfrenuar të çmimeve, krijimin e panikut dhe zhvatjen e skajshme të qytetarit, tek ata që duan ta zhbëjnë 14 shkurtin 2021, natyrisht që krijojnë shqetësim dhe ngjallin fantazi dhe epshe të pakontrolluara. Shpikin, shajnë, fyejnë, gënjejnë. Ndërsa ne, thjesht vazhdojmë punën”.
Reagimi i saj erdhi pasi mbrëmë u raportua se kryeministri Kurti i ka kërkuar dorëheqjen nga pozita e Ministres së Jashtme, Donika Gërvallës, duke i thënë asaj se mund të mbajë vetëm pozitën e zëvendëskryeministres.