Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të saj nga Shqipëria, Edi Rama. “Me një tronditje të madhe mësova për tërmetin në Shqipëri, ku gjetën vdekjen shumë njerëz dhe një numër i madh u plagosën. Dëshiroj t’ju shpreh pjesëmarrjen time të sinqertë. Mendimet tona janë te viktimat dhe të lënduarit. E di edhe dhimbjen që ju desh të përjetonit Ju dhe familja Juaj e ngushtë”, shkruan kancelarja gjermane.
“Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për ju dhe për të gjithë njerëzit në Shqipëri që kanë humbur të dashurit e tyre si rezultat i tërmetit. Të lënduarve u urojmë shërbim të shpejtë”, shkruan më tej kancelarja gjermane dhe shton: “Gjermania dhe Bashkimi Evropian do t’ju mbështesin në këtë kohë të vështirë”.
Është e hera e dytë që Gjermania ofron ndihmën e saj për Shqipërinë nëpërmjet strukturave të BE-së. Në kuadër të mekanizmit të emergjencës së BE-së, ajo iu përgjigj menjëherë thirrjes së Shqipërisë për ndihmë dhe ofroi një skuadër shpëtimi dhe pajisje. Sipas burimeve të DW, në marrëveshje me autoritetet shqiptare dhe mekanizmin koordinues u vendos që në Shqipëri nga Gjermania të dërgoheshin dy vullnetarë të Asistencës së Ndihmës Teknike (THW) .Të mërkurën pritet të shkojë në Shqipëri një delegacion i Komisionit të ri të BE-së për biseduar për ndihmën e mëtejshme ndaj Shqipërisë.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 në bregdetin qendror të Shqipërisë ishte i shkallës 6,3 ballë dhe u ka marrë jetën deri tani 51 njerëzve. Afro 700 vetë kanë marrë ndihmë spitalore. Të hënën, më 2 dhjetor 2019, Ambasada e Shqipërisë në Berlin do të hapë dyert për qytetarë dhe institucione që duan të shkruajnë diçka në librin e ngushëllimeve.