Gjykata e Berlinit pranon padinë e familjarit të Xhafer Devës kundër ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde

Familjari i Xhafer Devës, Valdet Deva, pasi ka dorëzuar një padi në Gjykatën e Berlinit për ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se tani ka marrë edhe përgjigje nga gjykata se i është konfirmuar padia.

Ai e akuzon ambasadorin Rohde për deklaratat e tij rreth Xhafer Devës, për të cilin pati thënë se ishte kolaboracionist nazist.

Valdet Deva përmes një statusi në Facebook thotë se ka marrë përgjigje nga gjykata, derisa thotë se ambasadori Rohde duhet të kërkojë falje publikisht për deklaratat e tij.

“Dje pranova konfirmimin zyrtar nga Gjykata e Berlinit rreth padise time ndaj Ambasadorit Gjerman, z.Rohde, per shpifje te rende ndaj Xhafer Deves. Ky konfirmin eshte nje fitore e madhe per familjen Deva, por njekohesisht per te gjithe ata qe e perkrahen rrugetimin tim ne kerkim te drejtesise! Tani Ambasadori z.Rohde duhet te paraqesë faktet, mbi te cilat u deklarua duke shpifur rende mbi figuren e Xhafer Deves! Dua te ritheksoj se, popullin Gjerman e kemi pasur dhe do ti kemi miq pergjithmone, prandaj per here te fundit i bej thirrje z.Rohde, te kerkoj falje publike familjes Deva per deklaratat e pamatura dhe te pabaza ndaj figures se Xhafer Deves”, ka shkruar ai.

Valdet Deva thotë se nëse ambasadori Rohde kërkon falje ai e tërheq padinë.