Gjykata Speciale përmend Komunikatën 59 ku përmendet Gani Geci

Kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse, foli për komunikatat e lëshuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës.

Ai tha të hënën para trupit gjykues se ndër komunikatat më të përfolura ishte Komunikata nr.59, që dënonte “një linjë kolaboracionistësh”, e që bëhej fjalë për ish-luftëtarin Gani Geci.

“Thaçi e kishte pranuar se Shtabi komunikonte me komunikata. Komunikata 59 akuzoi një linjë e donin që ky person të bëhej objekt keqtrajtimi, në mos vdekjeje. Thaçi pretendonte se kjo komunikatë s’ishte lëshuar nga Shtabi, po nga individë keqdashës”, deklaroi ai.

Zyrtari i ZPS-së lëshoi edhe deklarimin e të akuzuarit tjetër, Rexhep Selimi, ku kishte deklaruar se komunikata nr.59 ishte shkruar nga Thaçi.

Zyra e Prokurorisë përmendi se për Komunikatën 59, Thaçi kishte deklaruar se ishte lëshuar “nga banhofat”.