Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit dhe Veselit

Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ky vendim është marrë të enjten e 19 dhjetorit ndërsa është bërë i ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara në të njëjtën ditë.

Në këtë vendim thuhet se Prokuroria ka afat që deri më 30 janar 2023 të dërgojë parashtresat e saj në lidhje me shqyrtimin tjetër të paraburgimit.

Ndryshe, Veselit dhe Thaçit, gjyqtari paraprak ua kishte aprovuar kërkesat që shqyrtimi i paraburgimit të tyre të shtyhet derisa të zgjidhet një çështje.

Tutje, mbrojtja e Kadri Veselit, në një shkresë drejtuar gjykatës kishte thënë se një dëshmitar pranoi që gënjeu se Veseli dhe Thaçi ishin përgjegjës për dokumentet konfidenciale në rastin Gucati dhe Haradinaj dhe se ishte shtyrë për të gënjyer nga një informator, i cili ka qenë në kontakt të rregullt me ​​ZPS-në.
“Çështja e zbulimit e përmendur në vendime ka të bëjë me masën në të cilën ZPS-ja është mbështetur në dëshminë e një dëshmitari, i cili që atëherë ka hequr dorë nga rrëfimi i tij. ZPS-ja asnjëherë nuk është mbështetur në dëshmitë e këtij dëshmitari në këtë rast, duke përfshirë edhe arsyetimin e paraburgimit të ndonjë të akuzuari”.

“Mbrojtja e ka ditur këtë gjatë gjithë kohës – që nga vendimet e para të paraburgimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, u bë e qartë se paraburgimi mund të justifikohej vetëm me informacionin që iu zbulua”, është thënë nga ZPS-ja.