Menjëherë ka reaguar ambasadorja amerikane Yuri Kim pas takimit të Berishës në Shkodër.
Ajo shpërndau në rrjetet sociale intervistën e ish-ambasadorit William Reyerson në “Zërin e Amerikës”, i cili u shpreh se shpallja “non grata” e Berishës është sinjal kundër korrupsionit.
Ambasadorja thekson se duhet lexuar e plotë intervista e ish-ambasadorit Ryerson, ish-mikut të Berishës.
“Respekti, dashuria & shpresa e Ambasadorit Ryerson për Shqipërinë janë të njohura. Ndërsa festojmë 30-vjetorin e rilidhjes së marrëdhënieve SHBA – Shqipëri, ai thotë: “Dua të ritheksoj atë që mësova herët në Shqipëri, mos u dorëzo përballë pengesave”. Intervista e plotë duhet lexuar” – shkruan Kim.
Ndërkohë ja se çfarë tha ish-ambasadori amerikan që Berisha e quante mik të madh të tij:
“Ato që kanë ndodhur në Shqipëri janë inkurajuese, por edhe shumë zhgënjyese. Dikush më pyeti kohët e fundit se përse e bëri Sekretari Blinken këtë, përse jo një njoftim nga një prej zëdhënësve.
Për mua ky është një sinjal kundër korrupsionit, jo vetëm për Shqipërinë, por se Uashingtoni do ta godasë korrupsionin sa herë ta shohë, pavarësisht se për kë bëhet fjalë.
Ajo që ka rëndësi është çfarë bën tani ky, apo ai person, ky, apo ai entitet. Ndoshta para 25-30 vitesh nuk ishin përfshirë në korrupsion, por janë përfshirë më pas dhe prandaj tani po merr vëmendje kaq të lartë”, – u shpreh ambasadori Ryerson.
Pra e la edhe ish-miku i tij më i ngushtë amerikan, Ambasadori Reyrson. Ndërsa ambasadorja Kim nuk do ndalet derisa ta “copëtojë” ish-kryeministrin.
Berishën e shpëton vetëm nëse ka bazën dhe merr PD, duke larguar Bashën. Në të kundërt ditë më të vështira do vijnë për ish-liderin demokrat.