Ura kryesore e Krimesë që lidh gadishullin e aneksuar me Rusinë u godit nga dy sulme herët të hënën, ku për pasojë dy persona humbën jetën.
Sergey Aksyonov, kreu i administratës ruse në Krime, iu referua ngjarjes si “një emergjencë” dhe jo si sulm.
“Trafiku u ndal në urën e Krimesë. Një emergjencë ndodhi në zonën e mbështetjes 145 nga ana ruse e urës. Po merren masa për të rivendosur situatën në kontroll. U kërkoj banorëve të gadishullit që të mos kalojnë përmes urës së Krimesë dhe, për arsye sigurie, të zgjedhin një rrugë alternative tokësore përmes rajoneve të reja“, tha ai.
Vyacheslav Gladkov, guvernatori i rajonit perëndimor rus të Belgorodit, tha më vonë në deklaratën e tij në Telegram se dy persona, prindër të një vajze të re, kishin vdekur në incident, të cilin ai gjithashtu e quajti thjesht një “emergjencë”.
Ministria ruse e transportit ka thënë se shpërthimi nuk ka dëmtuar mbështetësit e urës dhe se vetëm sipërfaqja e rrugës është prekur.
Ura e Kerçit u hap në vitin 2018 dhe mundëson udhëtimin rrugor dhe hekurudhor midis Rusisë dhe Krimesë, territor ukrainas i mbajtur nga forcat e Moskës që nga viti 2014.
Në tetor të vitit të kaluar, ajo u mbyll pjesërisht pas një shpërthimi të madh. Ura, e cila është një rrugë e rëndësishme furnizimi, u rihap plotësisht në shkurt.