Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dha pretencën për Talo Çelën, i përfshirë në vjedhjen e 5.4 milionë eurove në aeroportin e Rinasit.
Seanca ndaj tij do të mbahet më 21 nëntor ora 10:00.
Talo Çela, një prej shqiptarëve më të kërkuar ndër vite po gjykohej i veçuar nga të akuzuarit e tjerë për këtë çështje.
Gjykata e Posaçme e Apelit një vit më parë la në fuqi dënimet e shpallura muaj më parë duke konfirmuar shpalljen fajtor të Klement Çalës dhe dënimin e tij me 20 vjet burgim.
Edhe i vëllai Eldi Çala u cilësua i fajshëm nga gjykata dhe u dënua me 17 vjet burgim, dhe të njëjtën masë me nga 17 vjet heqje lirie morën edhe Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkond Bengasi.
Shtatëshja e grabitësve spektakolarë kishte si bashkëpunëtor edhe Admir Muratajn vrarë gjatë arratisjes nga grabitja dhe Talo Çelën.
Për Ragip Hajdinin çështja u pushua pasi ai ndërroi jetë në burg.
Si ndodhi grabitja e Rinasit?
Ishte data 9 prill e vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Admir Murataj.
Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala janë arrestuar më 19 mars 2020, vetëm 1 vit pas grabitjes spektakolare të aeroportit të Rinasit. Për kapjen e Klement Çalës policia vuri 10 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion për të. Atyre iu sekuestrua edhe pasuria, apartamente e trualle.
Të përfshirët në grabitje kishin studiuar lëvizjet e ngarkesave me euro që duhet të transportoheshin me avion jashtë Shqipërisë.
Në largim e sipër nga skena e krimit, Murataj u vra, ndërkohë që policia gjeti të djegur automjetin e arratisë. Ngjarja e denjë për film u zbërthye nga Alkond Bengasi që rrëfeu rolin e secilit.