Nga Simon A.Waldman, Haaretz
Datat 15-16 korrik shënojnë 5-vjetorin e përpjekjes dramatike dhe të përgjakshme e grushtit të shtetit në Turqi, kur një fraksion brenda forcave të armatosura besnike ndaj Fethullah Gulen, një klerik turk me banim në SHBA, u përpoq të rrëzonte qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike.
Që atëherë, është rrëzuar demokracia e brishtë e Turqisë, teksa orientimi ndërkombëtar i vendit duket se është distancuar përfundimisht prej aleatëve të saj tradicionalë në Perëndim.
Pas asaj tentative, Ankara përqafoi fuqitë globale jo-perëndimore si Rusia, Kina, Katari dhe Irani .
Lidhjet e ngushta të Turqisë me Moskën, u theksuan nga shumë takime dhe biseda midis presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin gjatë viteve 2017-2020, dhe blerja nga Turqia e sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400, pavarësisht se ai paraqet një rrezik për sistemet e NATO-s.
Gjatë muajve të fundit, Turqia është përpjekur të riparojë marrëdhëniet e saj me aleatët e saj tradicionalë. Erdogan shprehu zemërimin e tij ndaj njohjes që i bëri presidenti amerikan Joe Biden Gjenocidit Armen, kur ata u takuan së bashku muajin e kaluar në Samitin e NATO-s.
Ankaraja po synon të shmangë konfliktet e mëtejshme me Greqinë, Qipron dhe BE-në në Mesdheun Lindor, dhe po kërkon gjithashtu të pajtohet me Izraelin dhe Egjiptin. Por nuk ka ndonjë shenjë të qartë se kjo qasja do të vazhdojë.
Një arsye kryesore e nënkuptuar e kësaj sjellje, është ajo që Erdogan pretendon se ndodhi në korrik 2016. Për të justifikuar largimin e Ankarasë nga aleatët e saj tradicionalë, qeveria turke pretendon vazhdimisht se natën e grushtit të shtetit, vendet perëndimore nuk i qëndruan pranë Turqisë.
Sipas saj, udhëheqësve perëndimorë iu desh një kohë e gjatë që të dënonin aktin, të vizitonin Turqinë dhe të solidarizoheshin me të. Narrativa – sipas së cilës Perëndimi e braktisi Turqinë në orën kur ajo kishte më shumë nevojë – është përdorur nga Erdogan për të legjitimuar politikën e jashtme të Turqisë, e cila e ka lënë vendin të izoluar në arenën ndërkombëtare, me pak miq dhe aleatë në një kohë kur ekonomia në krizë e vendit ka nevojë për çdo lloj ndihme që mund të marrë, dhe kur Erdogan dhe AKP-ja e tij në pushtet po vazhdojnë të pësojnë rënie të mbështetjes nëpër sondazhe.
Edhe disa udhëheqës në Evropë, Britani dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe analistë dhe ekspertë të shquar nga think-tanket kryesorë si në Evropë ashtu edhe në SHBA, duket se e pranojnë narrativën sipas së cilës Perëndimi e braktisi Turqinë.
Në fakt, vendet dhe organizatat perëndimore dërguan mesazhe të shpejta në mbështetje të Turqisë, popullit, qeverisë dhe institucioneve të saj demokratike, që gjatë kohës që grushti i shtetit ishte ende në zhvillim. Së pari, një kujtesë e shkurtër e asaj që ndodhi natën fatale të 15 dhe 16 korrikut të 5 viteve më parë.
Rreth orës 22:00 me orën lokale, në Turqi u përhap lajmi se kishte nisur një përpjekje për një grusht shteti, pak pasi u dëgjuan të shtëna nga brenda shtabit të ushtrisë në Ankara. Trupat rebele pushtuan urat mbi Bosfor në Stamboll, morën kontrollin e televizionit shtetëror TRT dhe disa aeroporte.
Në orët e para të 16 korrikut, ishte e paqartë nëse grushti i shtetit do të kishte sukses. Erdogan u shfaq në CNNTurk, përmes telefonit të tij celular në orën 12:25 të mëngjesit, ndërsa kryeministri Binali Yildirim, i bëri thirrje qytetarëve të dilnin në rrugë për t’i rezistuar grushtit të shtetit.
Grupi i parë i ushtarëve pro puçit u arrestua në orën 2:00 të mëngjesit. TRT rifilloi transmetimet në orën 3:00 të mëngjesit. Pika e kthesës ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit kur një Erdogan sfidues, pasi kishte zbarkuar në aeroportin e Stambollit dhe duke shmangur kapjen nga rebelët, u shfaq para mbështetësve të tij për të urdhëruar goditjen e puçistëve.
Nisën përleshjet dhe kur puçistët u mundën në mëngjes, mbi 240 shtetas turq kishin humbur jetën. Reagimi fillestar nga kryeqytetet perëndimore gjatë orëve të para të grushtit të shtetit, ishte lëshimi i deklaratave që shprehnin shqetësim për zhvillimet në vazhdim, dhe duke dhënë këshilla për qytetarët e tyre në Turqi.
Por kur me kalimin e orëve, kombet dhe institucionet perëndimore e shprehën qartë mbështetjen për Turqinë kundër grushtit të shtetit. Në orën 12:40 të mëngjesit të 16 korrikut, Federica Mogherini, asokohe shefe e politikës së jashtme të BE, bëri thirrje për “vetëpërmbajtje dhe respekt për institucionet demokratike të Turqisë”.
Ndërkohë Thorbjorn Jagland, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, shkroi në Tëitter në orën 1:18 të mëngjesit, kur rezultati i puçit ishte ende larg nga të qenit i qartë, se
“është e papranueshme çdo përpjekje për të rrëzuar udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike në një vend anëtar i Këshillit të Evropës”.
Në orën 2:07 të mëngjesit, kur ekuilibri i forcave ishte ende i panjohur, Departamenti Amerikan i Shtetit shkroi në Twitter se si Sekretari i Shtetit John Kerry ashtu edhe Presidenti Barack Obama, ishin dakord se “të gjitha palët në Turqi duhet të mbështesin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, të tregojnë përmbajtje, dhe të shmangin dhunën”.
Pastaj, më pak se 30 minuta më vonë, Kerry i informoi ndjekësit e tij në Twitter se i kishte telefonuar homologut të tij turk Mevlut Cavusoglu për t’i shprehur “mbështetjen absolute” të Amerikës. Në 2:08 të mëngjesit, Steffan Seibert, shefi i zyrës së shtypit të qeverisë gjermane shkroi në Twitter se “duhet të respektohet rendi demokratik i Turqisë”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, njoftoi në orën 2:34 të mëngjesit, se kishte zhvilluar një bisedë me zotin Cavusoglu, teksa bëri thirrje për “qetësi dhe vetëpërmbajtje dhe respektim të plotë për institucionet demokratike të Turqisë dhe kushtetutën e saj, duke shtuar se Turqia është një aleat shumë i vlefshëm i NATO-s”.
Në orën 3:10 të mëngjesit, nëpërmjet një deklaratë e përbashkët e Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claude Junker dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme Federica Mogherini, thuhej se:“BE mbështet plotësisht qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, institucionet të vendit dhe sundimit të ligjit. Ne bëjmë thirrje për një kthim të shpejtë të rendin kushtetues në Turqi”.
Pra, para se të dihej fati i grushtit të shtetit, qeveria turke dhe institucionet demokratike të Turqisë kishin marrë mbështetjen dërrmuese të aleatëve të saj kryesorë në Perëndim si SHBA, NATO, BE dhe kombet e mëdha Evropiane.
Në narrativën e tij, Erdogan ankohet se presidenti rus Putin i telefonoi më datën 17 korrik, ndërsa Obama vetëm më datën 19 korrik. Por ky argument injoron dilemën e fortë me të cilën u përballen zyrtarët amerikanë dhe evropianë.
Si mund ta cilësonin ata përpjekjen e grushtit të shtetit si një anatemë ndaj demokracisë dhe rendit kushtetues, dhe nga ana tjetër të reagonin ndaj një presidenti autoritar, që as nuk po e fshihte qëllimin e tij për të filluar menjëherë një spastrim masiv të kundërshtarëve të tij politikë?
Vlen të kujtohet që edhe para grushtit të shtetit, Erdogan dhe qeveria e tij e kishin vendosur tashmë në një presion të madh demokracinë turke. Në vitin 2012, “Reporterët pa Kufij” e cilësuan Turqinë si një nga burgjet më të mëdha në botë për gazetarët.
Në vitin 2013, bota pa sesi u rrahën brutalisht demonstruesit paqësorë, që protestonin kundër shkatërrimit të Parkut Gezi në Stamboll. Më pas, u miratua ligji që e dëmtoi rëndë lirinë e lundrimit në internet. Në vitin 2015, ishte shkatërruar procesi i paqes me kurdët, teksa përplasjet e reja kishin shkaktuar qindra të vdekur dhe qindra mijëra persona të zhvendosur brenda vendit, dhe shumë figura politike kurde ishin arrestuar.
Pastaj, në nëntor 2015, vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan se legjitimiteti i zgjedhjeve parlamentare në vend u dëmtua nga “frika” dhe “padrejtësia”. Ndërkohë, në periudhën e menjëhershme pas grushtit të shtetit, ligjvënësit e AKP po diskutonin mundësinë e rivendosjes së dënimit me vdekje në Turqi .
Të nesërmen, 6,000 njerëz u arrestuan, teksa ky numër u rrit në mënyrë dramatike në ditët dhe javët në vazhdim. Erdogan e shpalli grushtin e shtetit si “një dhuratë nga Zoti”, në mënyrë ai të riformonte një “Turqi të re”. /Përktheu: Alket Goce
*Marrë me shkurtime
Shënim:Dr.Simon A.Waldman, është pedagog dhe bashkëpunëtor në Kolegjin Mbretëror në Londër. Ai është bashkautor i librit “Turqia e Re dhe të pakënaqurit prej saj” (Oxford University Press, 2017).
Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…
Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë, është publikuar Exit…
Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi në rrjetet sociale pas protestës e cila u…
Sipas gazetarit dhe analistit turk İbrahim Karagül, zhvillimet e fundit rreth Ishullit të Sazanit nuk…