Profesor i studimeve islame, Xhabit Hamiti, ka vlerësuar dëmin e madh që i kanë bërë agjenturat e huaja vendit, por edhe bashkësisë islame në vend.
I ftuar në emisionin “Desku”, Hamiti ka thënë se tash e shumë vite ka ngritur zërin për këtë çështje, por se tash dëmi është shkaktuar: shumë literaturë e shtyrë nga kjo agjenturë është futur në Kosovë.
“Unë kam qenë kundër agjenturave të jashtme në emër të fesë, kjo më ka brejtur, kam thirrur gjithmonë që Bashkësia Islame të jetë autoktone, islame, por edhe bashkësitë tjera fetare të mendojnë me kokën e vet, të jenë në shërbim të kombit të fesë dhe të mos bien në grackën e agjenturave të jashtme, kushdo qofshin apo nga kudoqofshin. Të jemi vetja”, Ka thënë ai.
Hamiti ka thënë se vendit nuk i mungojnë kuadrot në fushën e studimeve islame.
“Unë nuk kam nevojë sot për një tutor të jashtëm të me tregojë si ta shpjegoj besimin në Zot, si ta shpjegoj islamin në vendin tim. Nuk kam nevojë për asnjë libër me përmbajtje ideologjike që ma sjell në vendin tim, e që m thotë se duhet të promovohet”, është shprehur Hamiti.
Profesori i studimeve islame vlerësoi se e gjithë kjo në Kosovë ka gjetur vend më lehtë, për shkak të rrethanave të krijuara pasluftës. Sipas tij, shumë qarqe, shumë organizata kanë bërë eksperimente në Kosovë, duke shfrytëzuar traumat e pasluftës e varfërinë.
“Na kanë shitur dushkun për gogla apo na kanë dhënë sapun për djathë, njerëzit në një formë e kanë marrë të mirëqenë. Tash gjatë viteve literatura është këtu, është futur dhe përgjegjës janë të gjithë. Dua të ndalem edhe te të tjerat, ka pas edhe organizata si satanike apo kur njerëzit janë flijuar në emër të një besimi fantom, duke menduar se po shkojnë në parajsë”, ka thënë Hamiti.
Ai ka bërë me faj për këtë autoritetet fetare, por edhe institucionet. Po ashtu, kjo literaturë ka gjetur si platformë edhe rrjetet sociale më vonë.
“Qasja që u është bërë të rinjve tanë i ka çuar në Siri. Tash Bashkësia Islame i ka refuzu dhe e ka largu përgjegjësinë e vet nga këta individë. Pos literaturës, një rol të madh kanë luajtur edhe rrjetet sociale, prej skajit të botës kanë thirrur për një luftë diku se aty ndahet haku, ka qenë propagandë globale. Por a kemi mundur ta parandalojmë, sigurisht nëse do të kishim një bashkëpunim më të ngushtë me Bashkësinë Islame dhe institucionet. Nuk do të kishte pjesëmarrje në luftën në Siri, në kuadër të një kauzë krejtësisht pa adresë dhe duke e dëmtuar veten, familjen e duke i dhënë imazh të keq vendit”, ka pohuar Hamiti.
Ai ka marrë edhe shembullin e mirë të Bullgarisë, ku jetojnë rreth një milion myslimanë, por që sipas tij, vetëm 2-3 kanë shkuar në luftën në Siri. Ai thotë se kjo është rezultat i masave të marra me kohë nga institucionet në mënyrë që të parandalohen agjenturat e huaja të depërtojnë.
Hamiti ka folur edhe për klasën politike në Kosovë dhe për të ardhmen e vendit që duhet të jetë me orientim nga Brukseli
“Egoizmi, lufta për grupe e klane e ka bërë të veten, lënia në margjinë e interesave të vendit, moszhvillimi ekonomik, ne nuk mundemi të mbijetojmë kështu, jo vetëm ne po asnjë shoqëri nëse nuk ka një zhvillim të duhur ekonomik, një angazhim të interesit të përgjithshëm. Ka munguar gjatë viteve interesi kolektiv, ko është e keqja që na ka atakuar. Kjo për fajin tonë. Ne nuk menduam sa duhet për të rinjtë tanë, nuk menduam ku do të shkojnë të rinjtë tanë, nëse ne prodhojmë kuadro dhe ne jemi ata që e udhëheqim sistemin e arsimit në vend dhe duhet të mendojmë për ata, për vendet e tyre të punës. Ne kemi krijuar kuadro, po nuk kemi menduar për vendet e punës për ta, kjo është me e keqja për ta, për shoqërinë tonë”, ka shtuar Hamiti.
Profesori ka thënë se vendit i mungon një lidershipi unifikues, në mënyrë që të ndihmohet vendi dhe populli, pasi duke u sharë e u fyer, duke elektrizuar popullatën, kjo nuk çon askund.
“Ne jemi pjesë e shoqërisë, sapo e hapim TV-në kemi lajme politike. Një besimtar i mirëfilltë duhet të reflektojë në hapërimin e tij ditor, ai e ka një lidhje që e mban me Zotin, por sa është e dobishme për shoqërinë, kjo mbetet çështje tjetër. Sipas ligjërimeve, Zoti shpërblen njerëzit sipas qëllimit, çfarë qëllimi ke, çfarë kontributi jep, çfarë je për vetëm dhe për shoqërinë”, ka thënë ai.
Po ashtu, ka thënë se orientimi i vendit drejt Brukselit si kryeqytet i BE-së, nuk ka alternativë.
“Nëse dikush thotë ndryshe, ai nuk ka orientim në kohë dhe hapësirë. Si qendër politike është Brukseli, jo vetëm për ne shqiptarët, edhe për Ballkanin, Ne jemi myslimanë, por mendojmë në mënyrë evropiane në kuptimin e organizimit të jetës sonë politike, ne nuk mund të bazohemi në ligje të Lindjes”, ka shtuar Hamiti.