Hapet dosja e Autoritetit: Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, ka 140 faqe në arkiva

Në letrën e Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit, drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla zbulohet se ish preisdenti Ilir Meta është politikani i lartë i shtetit që përmendet në dosje si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën e diktaturës komuniste.

“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të lartë të shtetit, siç është ish-presidentit i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me vertifikatë të pastërsisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konformuar nga ana jonë me vendimin e autoritetit nr. 17, datë 28.04. 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-sigurimit të shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Meta, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funskional, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin’. Ju përcjellim informacionin në lidhje me rastet më flagrantë të konstatuara nga institucioni, ku disa figura të rëndësishme, si A.D, Th.S, S.H, Xh.Sh, D.Ç dhe I.M, të cilat kanë pasur certifikatë të pastërtisë së figurës, figurojnë në dokumentet e krijuara nga ish-sigurimi i shtetit, raste të cilat duhet të mbahen parasysh në vlerësimin tuaj në lidhje me miratimin nga ana e Kuvendit të propozimeve për ndryshime ligjore”, thuhet në dokument.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka informuar ish-presidentin Ilir Meta se në emër të tij ndodhen të paktën 140 faqe informacion në arkivat e ish-Sigurimit të shtetit.

Në këtë dosje ndodhen dy dokumente njëra jo sekret tashmë e publikuar nga AIDSKSH dhe një tjetër me mbishkrimin sekret. Në njërin dokument bëhet fjalë për një dosje sekrete e të dënuarit F.T. brenda së cilës gjendet dhe roli si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit i I.M. AIDSKSH e ka gjetur dosjen, por që të procedojë më tej me vendim duhet që të ndryshojë ligji.

Një ditë më parë, ish-zëdhënësi i Metës, tani bashkëpunëtor në Partinë e Lirisë, Tedi Blushi, ironizoi faktin se Autoriteti e publikoi njoftimin dhe ftesën për ndryshime ligjore një ditë pasi Meta u rikthye në politikë. Ai bëri thirrje Autoritetit të Dosjeve të hapë dhe të bëjë publike çdo dosje dhe informacion të sigurimit të shtetit.

“Ha Ha Ha… Autoriteti i Dosjeve u kujtua t’i kërkojë Kuvendit të ndryshojë ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit”, një ditë pas themelimit të Partisë së Lirisë, se gjoja një politikan i nivelit të lartë I.M, figuron bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe qenka përpjekur për t’u fshehur nga verifikimet dhe për këtë u dashka bërë një ligj i veçantë. Mos e lodhni kot Kuvendin me këtë punë, se ka çështje të tjera më të rëndësishme për t’u marrë si aferën skandaloze të inceneratorëve apo Marrëveshjen e Detit me Greqinë (kujtoni letrën e fundit të Presidentit të Republikës për të gjithë deputetët). Latë nam me patronazhistët e sotëm ju që paskeni merakun e “patronazhistëve” të komunizmit” I bëjmë thirrje Autoritetit të Dosjeve të hapë që sot dhe të bëjë publike çdo dosje dhe informacion të sigurimit të shtetit dhe gjithçka tjetër, përfshirë edhe procesverbalet e organizatës së rinisë të asaj kohe!Jetojmë në kohën e “pavarësisë” së institucioneve, por edhe të TRANSPARENCËS, që nuk do të ndalet”, shkroi Tedi Blushi.

Autoriteti i kërkoi Kuvendit që të ndryshojë ligjin mbi dosjet në vend, për shkak se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndëshkohen pavarësisht se në të shkuarën mund të kenë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Autoriteti nënvizoi se politikanët dhe ata që kërkojnë të zgjidhen apo emërohen në detyra të larta shtetërore arrijnë t’i shmangen kontrollit të pastërtisë së figurës së tyre nëse më parë kanë kaluar filtrin e komisioneve të ngjashme Mezini dhe më pas Bezhani.