Haradinaj: Edi Rama nuk po m’i kthen fjalët as në Whatsapp

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për Abc News ka rrëfyer se si u organizua shteti i Kosovës brenda 30 minutash për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë së goditur nga termeti, në orët e para të mëngjesit të 26 Nëntorit.

Ai ka treguar se ka komunikuar me Metën, dhe përmes një kërkese verbale të tij është organizuar për të sjell grupet e emergjencës në Shqipëri. Po kështu Haradinaj ka rrëfyer se Kryeministri ynë Edi Rama nuk i është përgjigjur në telefon për ngjarjen e rëndë.

“Është bërë e pamundur për tu lidhur me Kryeministrin. Një numër që mban ai (Rama) nuk di si ta arrish në telefon. Unë e kam provuar kryeministrin dhe ka qenë vështirë, ai s’mban fare telefon dhe s’ka një person që mund të komunikosh në të tillë situatë me të”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj tha se ka një periudhë të gjatë se nuk ka kontaktuar me Edi Ramën përmes telefonit, e thekson faktin kur i ka dërguar mesazhe në rrjetin social Whatsapp, por ai ndonjëherë ia kthyer e ndonjëherë jo

“Nuk e di për tjerë, por unë e kam një periudhë të gjatë kohore që ka qenë çdo herë vështirë me komuniku, me i shkru në Whatsapp ose diçka në të kaluarën ka ndodhë meta kthy ndonjëherë jo, varësisht prej rrethanave”, tha Haradinaj.