Historike: një bazë “e frikshme” amerikane në Shqipëri

Komanda e Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara për Evropën (SOCEUR) ka vendosur të krijojë një bazë të avancuar të shtabit të forcave speciale në Shqipëri, konfirmoi të enjten shtabi me bazë në Shtutgart, duke theksuar se masa do të rrisë ndërveprimin me aleatët shqiptarë, një qasje e rëndësishme për një fleksibilitet më të madh logjistik.

U theksua se Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe se Shtetet e Bashkuara kanë lidhje të forta me qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Mbrojtjes, gjë që e bën një hap të natyrshëm ngritjen e kësaj baze të avancuar. Për më tepër, krijimi i bazës do të kursejë kohë gjatë udhëtimit dhe do të rrisë fleksibilitetin si të operacioneve speciale ashtu edhe të forcave konvencionale në rajon.

“Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare”, thuhet në deklaratë.


Komandanti i Operacioneve Speciale (SOCEUR), Gjeneral Major David H. Tabor, tha se aftësia për të lëvizur shpejt dhe për të trajnuar brenda Ballkanit, në koordinim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bën Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për të ngritur këtë lloj baze.

“Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme në NATO dhe një partner i respektuar i sigurisë, si në nivel rajonal ashtu edhe në atë global,” shtoi Tabor.

SOCEUR luan një rol të rëndësishëm në demonstrimin e angazhimit të SHBA ndaj aleatëve dhe partnerëve në Ballkan dhe kjo përpjekje po kryhet me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe në njohjen e profesionalizmit të ushtrisë shqiptare, thuhet në deklaratë.

Aty thekson se Komanda ka një pozicion të unifikuar për të nxitur marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët për të luftuar ndikimet malinje, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur shpejt kërcënimeve të reja dhe, nëse është e nevojshme, për të mposhtur agresionin.