Holanda zbulon planet e Putinit/ Si u përpoq shërbimi informativ rus të infiltronte spiunin e saj në GJPN, çfarë synohej nga operacioni

Shërbimet e Inteligjencës holandeze kanë zbuluar se një agjent i cili punonte për Shërbimin Informativ Ushtarak Rus, GRU, përdori një identitet të rremë brazilian për të udhëtuar nga Brazili në Holandë.

Agjenti i spiunazhit duhej të fillonte një stazh në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, që do të thoshte se ai do të kishte akses në ndërtesën dhe sistemet e kësaj gjykate.

Pa zbulimit të operacionit të tij, spiuni është ndaluar nga autoritetet holandeze sapo ka mbërritur në këtë shtet dhe është kthyer menjëherë për në Brazil.

“Nëse oficeri i inteligjencës do të kishte arritur të fillonte punë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ai do të kishte qenë në gjendje të mblidhte informacione atje dhe të kërkonte (ose të rekrutonte) burime dhe të organizonte qasje në Sistemet dixhitale të gjykatës.

Në këtë mënyrë, ai do të kishte qenë në gjendje të jepte një kontribut të rëndësishëm në informacionet të cilat i interesonin GRU-së. Ai gjithashtu mund të kishte qenë në gjendje të ndikonte në procedurat penale të GJNP”, tha në një deklaratë Shërbimi holandez i sigurisë AIVD.

Agjenti i fshehtë pretendoi se ishte shtetasi brazilian Viktor Muller Ferreira, i lindur më 4 prill 1989, kur në fakt emri i tij i vërtetë është Sergey Vladimirovich Cherkasov, i lindur më 11 shtator 1985.

AIVD thotë se Cherkasov përdori një identitet të ndërtuar mirë me anë të të cilit ai fshehu të gjitha lidhjet e tij me Rusinë në përgjithësi, dhe GRU-në në veçanti.