Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni ka thënë se historia e Kosovës dhe ajo e Palestinës janë tërësisht të ndryshme.
Ai tha se arsyeja pse Palestina po njihet nga shumë shtete e Kosova jo, është mungesa e aftësisë së diplomacisë sonë.
“Ka një dallim substancial midis historisë së Kosovës dhe Palestinës janë dy çështje të ndryshme, shpjegimet pse Palestina ka njohje ndërkaq Kosova nuk ka… është lehtë e shpjegueshme është mungesë totale e diplomacisë”, tha ai.
I pyetur nëse Kosova duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës, Hyseni u shpreh se një veprim i tillë do ishte hap i gabuar. Sipas tij Palestina vazhdimisht ka anuar nga qëndrimi i Serbisë dhe nuk e ka përkrahur rrugën e Kosovës për pavarësi.
“Mendoj që do ishte hap strategjikisht i gabuar sepse në rastin e konfliktit Izrael-Palestinë Kosova duhet të përqafojë politikat amerikane dhe BE-së… në fund të fundit Kosova nuk ka detyrim as moral për ta njohur Palestinën pa një pëlqim ndërkombëtarë, botërisht dihet qëndrimi i Palestinës si entitet, si popull karshi rrugës së Kosovës për pavarësi, po ashtu edhe për vuajtjet e popullit të Kosovës. Palestinës e mban qëndrimin e Beogradit karshi Kosovës”, tha ai.
Tutje ai e ka kritikuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës duke e cilësuar si të fjetur e madje edhe inekzistente.
“Është një dallim substancial midis këtyre dy rasteve Kosovës dhe Palestinës, në anën tjetër për rastin e Kosovës kemi një diplomaci tërësisht të fjetur, inekzistente. Në rastin e Palestinës konflikti në Gaza e ka aktualizua çështjen e idesë së kamotshme të zgjidhjes midis dy shteteve, d.m.th. formula e dy shteteve e përqafuar si zgjidhje pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtarë duke përfshirë këtu edhe ShBA dhe BE. Pa dashtë me i komentuar lëvizjet e tri vendeve evropiane për të njohur shtetin e Palestinës pa një pajtim ndërkombëtar, saktësisht siç ka thënë shtëpia e bardhë ka qenë dhe është e ngutshme të merret anë në këtë konflikt pa një pajtim të palëve”, tha ai.
Së fundmi pavarësinë e Palestinës e kanë njohur shtetet si Spanja, Irlanda dhe Norvegjia.