I “avullojnë” 165 mld dollarë, Elon Musk thyen rekordin botëror për humbjen më të madhe të pasurisë

Elon Musk ka thyer rekordin botëror për humbjen më të madhe të pasurisë personale në histori. Nga nëntori 2021 deri në dhjetor 2022 ai humbi rreth 165 miliardë dollarë. Shifrat bazohen në të dhënat nga botuesi Forbes, por Guinness World tha se burime të tjera sugjeruan se humbjet e Musk mund të ishin më të larta.

Kjo vjen pas rënies së vlerës së aksioneve në firmën e makinave elektrike të Musk, Tesla, pasi ai bleu Twitter vitin e kaluar.

Blerja prej 44 miliardë dollarësh e kompanisë së mediave sociale ka ngjallur shqetësime tek investitorët se Musk nuk po i kushton më vëmendjen e mjaftueshme Teslës.

Humbjet e Musk që nga nëntori 2021 tejkalojnë rekordin e mëparshëm prej 58.6 miliardë dollarësh, të pësuar nga investitori japonez i teknologjisë Masayoshi Son në 2000.

Humbja e vlerësuar bazohet në vlerën e aksioneve të tij, të cilat mund të rifitojnë vlerën e tyre, që do të thotë se pasuria e Musk mund të rritet përsëri. Në dhjetor, shefi i Tesla-s humbi pozicionin e tij si personi më i pasur në botë, teksa “froni” i kaloi Bernard Arnault, shefi ekzekutiv i kompanisë franceze të mallrave luksoze LVMH, e cila zotëron markën e modës Louis Vuitton.

Vlera e aksioneve të Tesla-s ra rreth 65% në vitin 2022, pjesërisht për shkak të performancës së Tesla-s. Firma dorëzoi vetëm 1.3 milionë automjete gjatë vitit, duke rënë poshtë pritshmërive të Wall Street.

Megjithatë, marrja e Twitter nga Musk, ku ai ka ndezur polemika duke shkarkuar një numër të madh të stafit dhe duke ndryshuar politikat e moderimit të përmbajtjes, qëndron pas shumicës së rënies së aksioneve.

Shumë investitorë të Tesla-s besojnë se ai duhet të përqendrohet në kompaninë e automjeteve elektrike pasi ajo përballet me kërkesë në rënie mes frikës së recesionit, konkurrencës në rritje dhe sfidave të prodhimit të lidhura me Covid-in./ BBC