Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi për A2 CNN se janë duke zhvilluar një koncept shumë më të madh sesa shërbimi i detyrueshëm ushtarak me qëllim përgatitjen e qytetarëve për të reaguar dhe për një “mbrojtje gjithëpërfshirëse”. Ejup Maqedonci Ministëri Mbrojtjes
“Ne jemi duke ndërtuar konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse që nënkupton që t’ia japim rolin secilit qytetar në aspektin e mbrojtjes, sigurisë dhe emergjencave civile. Së shpejti ky koncept do të bëhet publik dhe ne do ta kemi përpara rrugën përmes së cilës ne do të angazhojmë të gjithë qytetarët për çështjen e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.
Serbia u bë shteti që rikthehu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por Maqedonci thotë se koncepti i tyre nuk është për t’iu kundërvënë askujt.
“Ne faktikisht nuk e kemi ndërtuar këtë koncept për t’ju kundërvënë kurrkujt, ne e kemi ndërtuar këtë koncept për t’ju kundërvënë sfidave, rreziqeve të kohës. Ky koncept ka qenë i nevojshëm edhe më herët. Ne vlerësojmë që qytetarët, institucionet dhe çdo individ duhet të dijë rolin e tij në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë por edhe në aspektin e mbrojtjes civile”, theksoi ai.
Ky koncept do të trajtojë edhe bunkerët të cilët i ka Kosova në qytete të ndryshme por që nuk janë mirëmbajtur.
“Ministria e Mbrojtjes me këtë konceptin e mbrojtjes së gjithpërfshirjes do të adresojë shumë çështje duke përfshirë këtu normal edhe disa çështje infrastrukturore siç është çështja e strehimoreve të cilat fatkeqësisht në vendin tonë nuk janë funksionale”.
Ditë më parë, Serbia prezantoi edhe sistemin rus anti-dron, për të cilin Maqedonci deklaroi se rrit kërcënimin ndaj gjithë rajonit.
“Ky militarizim i jashtëzakonshëm i Serbisë paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin dhe duke i shtuar kësaj që të gjitha këto sisteme që Serbia blen janë sisteme nga Kina dhe Rusia ky rrezik rritet dhe tregon për influencën që këto dy shtete me regjime autokratike kanë në Republikën eSerbisë”.
Maqedonci tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç është duke zvarritur mbylljen e dialogut me Kosovën pasi po pret rezultatin e luftës në Ukrainë në mënyrë që të përfitojë më shumë.