Varri i Fatmir Haklajt është shkatërruar nga persona të paidentifikuar.
Pllakat e varrit ishin thyer në disa copa.
Motra e tij, Zylfie Haklaj reagoi pas ngjarjes përmes një postimi në llogarinë në Facebook “Haklajt e Tropojës”.
“Ju po ngelshi tane kohen ne Koder te varrezave tona se edhe te vdekur jau keni frigen a mos po cohen. Na e kena dite qedo ti prishni dhe me qellim i kena punue me dite te sakte kushe merret me keto pune. Hajrin ja pafshi punes”, shkruan ajo.
Kush është familja Haklaj?
Deri në fillimin e viteve ’90 familja Haklaj ishte një nga mijëra familjet e thjeshta të Tropojës. I pari i saj Isuf Groshi, ishte një nga personat e njohur dhe të respektuar në Malësinë e Gjakovës, aq sa dhe sot bëmat dhe shprehjet e tij vazhdojnë të kujtohen, për urtësinë dhe zgjuarsinë e tyre. I biri, Muharrem Haklaj do të kishte shtatë fëmijë, pesë djem dhe dy vajza. Pothuaj të gjithë fëmijët do të arsimoheshin në shkolla profesionale. Pak muaj pas ardhjes në pushtet të koalicionit të djathtë, në verën e vitit 1992, Hamdi Haklaj dhe i vëllai Halili do të arrestoheshin me akuzën e vrasjes me mjete të forta të një ekonomisti në Bajram Curr. Dy djemtë më të mëdhej të familjes do të qëndronin në burg për gjashtë muaj rresht. Do të liroheshin për mungesë provash, por pas këtij momenti besimi i tyre ndaj të sapoardhurve në pushtet ishte thyer.
Shkëlzeni
Ngjarja që do t’i ekspozonte Haklajt dhe do të niste përballjen e tyre me policinë ishte ajo e 7 gushtit 1993. Vëllezërit Haklaj kishin shkuar për peligrinazh si shumë familje të Tropojës në vendin e shenjtë në malin e Shkëlzenit, i njohur ndryshe dhe si “varri i mirë”. Por për arsye ende të pasqaruara Shkëlqim Haklaj është konfliktuar me dy vëllezërit Besim e Guxim Demaj nga fshati Shipshan i Tropojës. Policia e ka rihapur dosjen pas afro 13 vjetësh dhe pretendon se në ndihmë të Shkëlqimit ka shkuar vëllai i tij i madh, Hamdiu. Në çastin kur konflikti i ka kaluar caqet, Hamdi Haklaj ka qëlluar me pistoletë në drejtim të dy vëllezërve Demaj të cilët kanë mbetur të vrarë. Pas rihapjes së hetimeve ekspertët mjeko-ligjorë kanë rizhvarrosur kufomat e viktimave për të siguruar prova të reja mbi autorësinë e krimit. Menjëherë pas ngjarjes policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Haklaj. Qysh nga ajo kohë silueta e Hamdi Haklajt do të shihej shumë rrallë në Tropojë, madje edhe pas kthimit të tij në Shqipëri në janar të vitit 1998. Fatmir Haklaj edhe pse nuk kishte probleme me drejtësinë dhe nuk ishte person i shpallur në kërkim, u është bashkuar vëllezërve për t’i ndihmuar të mos kapeshin nga policia. Nga gushti i vitit 1993 deri në fundin e vitit 1996 policia e rrethit verior dhe forcat speciale organizuan disa aksione për t’i arrestuar vëllezërit Haklaj, të cilët dyshoheshin se herë pas here ktheheshin nga jashtë vendit në banesën e tyre.
Aksioni
Aksioni më i madh i policisë së Tropojës dhe forcave speciale të ardhura nga Tirana është organizuar 5 tetor 1995. Kulla e Haklajve u rrethua nga qindra trupa të policisë që kishin marrë informacion në rrugë operative se dy vëllezërit e kërkuar Hamdi e Shkëlqim Haklaj ishin kthyer në banesë. Për të mbështetur këtë operacion janë angazhuar deri dhe helikopterë nga ajri, por vëllezërit Haklaj nuk u kapën. Gjatë veprimeve të forcave të Rendit mbeti i vrarë një polic i komisariatit të Tropojës. Rrethanat e vrasjes së tij janë ende dhe sot të pazbuluara nga autoritetet shtetërore. Nuk dihet nga kush dhe si u qëllua polici që ndodhej në rrethim së bashku me kolegët e tij. Pavarsisht faktit se kanë kaluar 14 vjet nga ngjarja e Shkëlzenit, Hamdi Haklaj nuk është gjykuar asnjëherë për të, pasi nuk ka patur prova të mjaftueshme për ta argumentuar fajësinë e tij.
Prita
Pas këtij operacioni të dështuar të policisë, Haklajt do të dilnin në skenë menjëherë pas trazirave të marsit 1997. I pari shfaqet emri i Fatmir Haklajt. Ai do të ishte protagonist në një përballje me mbështetësit e ish-presidentit Berisha. Haklaj kundërshton tu bashkohet vullnetarëve që po shkonin nga Tropoja në Tiranë për tiu bashkuar trupave të policisë për shuarjen e revoltave në jug të vendit. Ai nuk u mjaftua me kaq, por kundërshtoi dhe pengoi forcërisht oficerët e Gardës që kishin shkuar në Tropojë për të siguruar forca rezerviste. Për këtë akt ai do të vlerësohej nga mbështetësit e së majtës në Tropojë dhe do të vendosej kryetar i Komitetit të Shpëtimit Publik. Më 22 qershor 1997, Fatmir Haklaj i shpëton një prite të organizuar në afërsi të Milotit. Ai kishte udhëtuar së bashku me djalin e xhaxhait, Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në Skrapar dhe një mikun e tyre nga Tropoja, Agron Gjyriçi, për një rast urgjent në Tiranë. Gjatë kësaj prite mbeti i vrarë Sokol Haklaj dhe Ibrahim Rustemi, efektiv i forcave speciale. Rustemi për disa kohe kishte qëndruar pranë grupit të shoqërimit të deputetit demokrat Azem Hajdari. Ibrahim Rustemi kishte planifikuar të udhëtonte në drejtim të Tropojës gjatë po asaj nate, së bashku me trupat e Gardës dhe forcat speciale. Misioni i tyre ishte të siguronin vizitën e ish-presidentit Berisha dhe mitingun elektoral që do të zhvillonte ai të nesërmen në Tropojë, ku do të shpallej dhe kandidatura e PD-së për deputet, Azem Hajdari. Rustemi lë njoftim në banesën e vet se nëse e kërkonin nga reparti, tu thoshin se ai ishte nisur përpara me Sokol e Fatmir Haklajn për shkak të një fatkeqësie që i kishte ndodhur. Fatmir Haklaj arriti të vriste një nga autorët e pritës në momentin që ai iu afrua autoveturës për tu dhënë goditjen e fundit viktimave. Fatmir Haklaj dyshon se pas kësaj prite fshihen persona të rëndësishëm. Disa ditë pas pritës Haklaj identifikon autorët e saj dhe lidhjet e tyre në Tiranë. Hakmarrja për këtë atentat është e pamëshirshme. Tre nga katër autorët e mbijetuar të atentatit të Milotit ekzekutohen njëri pas tjetrit në rrethana ende të pazbardhura. Familjeve të dy prej tyre u digjen kullat në fshatrat e Mirditës. Ndërsa i mbijetuari i fundit prej atentatorëve, një emër i njohur i botës së krimit në zonën e Mirditës, u ekzekutua gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat speciale në vitin 1999 në Mamurras.
Konflikti
Kufomat e pritës së Milotit nuk ishin kthyer ende në Tropojë, kur zhvillohej mitingu elektoral në sheshin qëndror të Bajram Currit. Gjatë këtij mitingu ndodh një tjetër konflikt, këtë radhë është Shkëlqim Haklaj, i cili reagon ashpër në momentin që ishte duke folur ish-presidenti Berisha. Irritimit të Haklajt i është bashkuar dhe Feriz Kërnaja, i sapo dalë nga burgu. Kërnaja ishte bërë i njohur për shkak se kishte qëndruar për disa kohë në të njëjtin burg me kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano. Madje një foto e përbashkët e Kërnajës, Fatos Nanos dhe Nehat Kullës, një nga kapot e njohur në kryeqytet u botua në shtypin e kohës. Gjatë zgjedhjeve të 29 qershorit Haklajt mbështetën kandidatin e PS-së për Tropojën dhe dalën haptazi kundër kandidatit të PD-së Azem Hajdari. Vëllezërit Haklaj ndihmuan gjatë fushatës elektorale për referendumin dhe pretendentin për fronin mbretëror Leka Zogu gjatë një vizite të tij në rrethin e Tropojës. Kundërshtarët e monarkisë tentuan të pengonin vizitën e Zogut, por në krah të tij, përkrah shumë djemëve të Tropojës u rreshtuan dhe vëllezërit, Fatmir, Shkëlqim dhe Ylli Haklaj. Pas zgjedhjeve parlamentare Hajdari u shpall deputeti i ri i Tropojës, por situata ndryshoi në disfavor të së djathtës, për shkak se e majta fitoi zgjedhjet në gjithë vendin dhe Fatmir Haklaj me propozim të degës lokale e PS-së dhe me firmën e ish-ministrit të Rendit Neritan Ceka mori detyrën e shefit të komisariatit.
Protesta
Më 17 shtator 1997 deputeti demokrat Azem Hajdari u plagos në parlament nga deputeti socialist i rrethit të Hasit, Gafurr Mazrreku. Një ditë më pas, më 18 shtator 1997, dega lokale e PD-së në Bajram Curri organizoi një protestë për të denoncuar plagosjen e deputetit të Tropojës. Organizatorët e protestës paraqiten në polici dhe i kërkojnë leje shefit të komisariatit Fatmir Haklaj. Ai u jep leje për zhvillimin e mitingut por kërkon që të mbahet në kompleksin e lojërave me dorë në qëndër të qytetit. Mbështetësit e shumtë të PD-së fillimisht grumbullohen në kompleksin e lojërave me dorë. Por më pas protesta vazhdoi nëpër rrugët e qytetit. Fatmir Haklaj i njoftuar për rrjedhën që mori protesta vendos të përballet personalisht me drejtuesit e saj. Ai u del përballë protestuesve në shëtitoren e Bajram Currit. Haklaj debaton ashpër me disa nga organizatorët, madje qëllon me grusht njërin prej tyre. Nga ky moment protesta shpërndahet, por Fatmir Haklajt nuk do tia falnin kurrë atë që bëri. Ai do të qëndronte dhe për katër muaj të tjerë në detyrën e shefit të komisariatit. Gjatë kësaj kohe vendosi rregull dhe rend në Tropojë, diku me fjalë e diku me forcë. Bandat e grabitësve që kishin pushtuar rrugët dhe bënin kërdinë, preferonin më mirë të mos përballeshin me të, sepse më shumë se sa arrestimit dhe burgut, i druheshin ndëshkimit hakmarrës të tij. Nga një person në arrati për të ndihmuar vëllezërit që kërkoheshin nga policia, Fatmir Haklaj u kthye brenda disa muajsh në një sherif alla far ëest, që më tepër se zbatimin e ligjit të brishtë, parapëlqente ndëshkimin tradicional të malësisë ku ishte rritur. Për Pesë muaj me radhë në Tropojë, nuk ndodhi asnjë vrasje edhe pse ishte viti 1997 dhe armët ishin në duart e gjithkujt. Personat problematikë preferonin më mirë të largoheshin ose të rrinin urtë, sesa të përballeshin me dorën e hekurt të Fatmir Haklajt, që i veshur dhe me uniformën e shtetit ishte bërë njeriu më i pushtetshëm në veri të vendit.
“Dosja Tropoja”, dëshmitari kyç, 9 vjet jashtë vendit
Një polic i komisariatit të Bajram Currit që i shpëtoi atentatit të 5 janarit 1998 ku mbetën të vrarë Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demirit, është dëshmitari kyç që mund të zbardh si nisi tragjedia që përgjaku për vitet në vazhdim Tropojën. Avdi Buçpapa nuk është marrë kurrë në pyetje nga organet ligjzbatuese në lidhje me këtë ngjarje. Ai u largua menjëherë pas krimit nga Shqipëria për ti shpëtuar rrezikut serioz që i kanosej. Mënyra sesi shefi i komisariatit të Tropojës, Fatmir Haklaj zgjodhi për të vënë në vend drejtësinë sipas kokës së tij, shkaktoi një reaksion të madh, deri dhe nisjen e protestave nga opozita e djathtë në rrugët e kryeqytetit. I tërbuar nga vrasja e dy njerëzve të tij më të afërt, Fatmir Haklajt, i errësohet gjykimi. Ai nuk bën më selektim të viktimave të tij, duke qëlluar këdo që i dilte përpara, mjafton që të ishte i afërt me autorët e pritës së Qafë Luzhës apo i njohur i tyre. Për Haklajn nuk kishte shumë rëndësi fakti nëse viktimat e tij ishin implikuar apo jo në ngjarje. Mjaftonte vetëm lidhja dhe njohja e tyre me autorët e pritës së 5 janarit 1998.
Prita
Asaj që Fatmir Haklaj i trëmbej, ndodhi pikërisht në momentin kur ai mendonte se kishte vënë gjithçka në vijë. Tre ditë pas vitit të ri 1998, vëllai i tij Shkëlqimi u emërua polic në doganën e Qafë Prushit në rrethin e Hasit. Pasditen e 5 janarit, Shkëlqim Haklaj dhe kunati i Fatmirit, Artur Demiri ktheheshin nga Hasi me një fuoristradë Nissan Terrano ngjyrë blu. Sapo ata mbërritën në Qafën e Luzhës u qëlluan me breshëri armësh automatike. Autorët e pritës, përbënin një komando të pajisur mirë më armë automatike dhe mitrolozë të rëndë. Të informuar për lëvizjen e Shkëlqim Haklajt, ata ishin pozicionuar në pritë duke mbajtur nën vëzhgim për orë të tëra rrugën që të ngjit nga fshati Pac drejt Qafë Luzhës. Zjarri i tyre gati rezultoi njëqind përqind i saktë sikur Shkëlqim Haklaj të mos u kishte mbijetuar breshërive të para dhe të shkëmbente zjarr me një pistoletë që kishte me vete, duke i dhënë kohë një personi të tretë që ndodhej në makinë të shpëtonte i gjallë. Avdi Buçpapa u largua drejt një pylli që të nxjerr në fshatin Vlad. I mbijetuar, pa asnjë gërvishtje nga prita, një polic i komisariatit të Bajram Currit, do të shpejtonte sa i hanin këmbët për të mbërritur i gjallë në fshatin më të afërt ku kërkoi ndihmë. Polici i tmerruar kërkoi të sajonin një vig për të transportuar të vdekurit drejt Tropojës. Trupat e dy të vdekurve u transportuan drejt morgut të qytetit me autobuzin e linjës Krumë-Bajram Curri, i vetmi mjet që kaloi pas atentatit në atë aks rrugor.
Dëshmitari Fatmir Haklaj kur mësoi se viktimat e pritës ishin vëllai dhe kunati i tij, u betua se hakmarrja për vrasjen e tyre do të ishte e padëgjuar ndonjëherë. Ai kontaktoi po atë natë me dëshmitarin e vetëm të mbijetuar nga atentati dhe mësoi prej tij se kush kishte qenë pjesë e komandos që organizoi pritën. Ky dëshmitar okular, duke qenë banor i Tropojës identifikoi pjesën më të madhe të autorëve të pritës
Aishja: Shkëlqimi u godit nga afër, me një plumb në kokë
Shkëlqimi, pasi ishte qëlluar me 7 plumba në trup, kishtë marrë dhe një plumb tejshpues në kokë, i cili kishte kaluar nga njëra anë e ballit në anën tjetër. Pikërisht ky fakt e irritoi pamasë Fatmirin, aq sa ai humbi gjykimin dhe ndodhen ato që ndodhen”, tregon motra e madhe e Haklajve, Aishja për vrasjen e Shkëlqimit më 5 janar 1998. Aishe Basha, ish-drejtoreshë e shkollës së Bujanit, kujton ende trupin e të vëllait pas ngjarjes së Qafë Luzhës. Ajo rrëfen për “Gazetën Shqiptare”, si ndodhi ngjarja e 5 janarit 1998? Si shpëtoi polici Avdi Buçpapa, dëshmitari i vetëm okular i kësaj prite nga plumbat e vrasësve, dhe çfarë i tha ai Fatmir Haklajt pas ngjarjes?
Si ndodhi ngjarja e 5 janarit 1998 në Qafën e Luzhës? Vëllai im Shkëlqimi sapo ishte emëruar polic në doganën e Qafë Prushit në Has. Pasditen e 5 janarit, rreth orës 16.20 ai po kthehej në shtëpi me një fuoristradë Nissan Terrano. Bashkë me të ishte dhe kunati i Fatmirit, Artur Demiri dhe polici i komisariatit të Tropojës, Avdi Buçpapa. Sapo makina i është afruar lapidarit në Qafë Luzhë është qëlluar pa paralajmërim me breshëri automatikësh dhe mitrolozësh. Autorët e pritës ishin të pozicionuar në një transhe mbi rrugë dhe kanë hapur zjarr nga një distancë shumë e afërt.
Çfarë ndodhi më pas? Arturi mbeti i vdekur në vend. Ndërsa Shkëlqimi edhe pse kishte marrë shtatë plumba në trup, arriti të dilte nga makina dhe të hapte zjarr me një pistoletë që kishte me vete. Ky veprim i dha mundësi policit Avdi Buçpapa të përfitonte dhe të futej në pyll duke vrapuar drejt fshatit Vlad. Sipas dëshmisë së Avdiut, ai dëgjoi Shkëlqimin të shkëmbente fjalë me autorët e pritës. Avdiu kërkoi ndihmë në Vlad për të transportuar drejt Bajram Currit, trupat e Shkëlqimit dhe Arturit. Pistoleta e Shkëlqimit u gjet me dy fishekë në karikator, ndërsa 5 të tjerë ai i kishte qëlluar drejt autorëve të pritës. Kufomat e tyre i sollën në spitalin e Bajram Currit në mbrëmje me autobuzin e linjës Has-Tropojë.
A kontaktuat ju me të mbijetuarin e pritës dhe çfarë u tha si? Me sa di unë, me Avdiun kontaktoi po atë mbrëmje, Fatmiri. Se çfarë i ka thënë për autorët, këto i ka marrë me vete Fatmiri. Por Avdiu duke qenë tropojan i ka identifikuar pjesën më të madhe të autorëve të pritës, pasi ata nuk kishin maska. Veprimi që e irritoi pamasë Fatmirin, ishte fakti që Shkëlqimi ishte qëlluar me një plumb tejshpues në kokë, nga njëra anë e ballit në anën tjetër, nga një distancë shumë e afërt. Autorët e kësaj ngjarje nuk janë zbuluar kurrë edhe pse ka një dëshmitar okular (Avdi Buçpapa) dhe ne si familje kemi dorëzuar në prokurori provat dhe dyshimet tona.
Hamdi Haklaj, i mbijetuari që u shpëtoi atentateve
Pas ngjarjeve tragjike në vitet 1998-2000, Hamdi Haklaj u etiketua nga media me nofkën “Padrino”. Kjo jo vetëm për shkak se ishte djali i madh i familjes, fakt ky që i jepte atributet e liderit mbi të tjerët, por sepse u shpëtoi të gjitha atentateve, duke përfshirë këtu deri dhe ato me mina të telekomanduara apo me snajperë në distancë. Hamdi Haklaj, më i madhi nga pesë djemtë e familjes Haklaj lindi në vitin 1950 në Kërnajë. Është baba i gjashtë fëmijëve, tre djem e tre vajza. Hamdiu kreu studimet e larta në fakultetin e Veterinarisë në Kamëz. Pas përfundimit të shkollës, ai u kthye në Tropojë dhe fillimisht punoi si veteriner. Më pas për më shumë se një dekadë Hamdiu ishte kryetari i kooperativës së Margegajt detyrë në të cilën qëndroi deri në vitin 1990. Ai sëbashku me të vëllain Shkëlqimin ishin ndër mbështetësit e parë të PD-së në Tropojë. Por besimi i tij ndaj të sapoardhurve në pushtet u thyhe në vitin 1992, kur sëbashku me të vëllain Halilin, qëndruan për 6 muaj në burg me akuzën e një vrasjeje me mjete të forta në Tropojë. Hamdiu u lirua nga burgu për mungesë provash duke rezultuar i pafajshëm për krimin e vrasjes. Për herë të fundit Hamdi Haklaj u pa të shëtiste lirisht në Tropojë në fillimgushtin e vitit 1993. Prej këtij momenti, Hamdiu qëndroi në ilegalitet, për më shumë se një dekadë e gjysëm duke u shfaqur shumë rrallë në vendlindjen e tij. Ai emigroi në Gjermani ku qëndroi për pesë vjetë me radhë, deri në 5 janarin e 1998, kur vëllai i tij Shkëlqimi u ekzekutua pas një prite në Qafën e Luzhës
Vrasja mister e shefit të logjistikës së UÇK-së
Një pritë e organizuar nga një grup personash të armatosur, I kushtoi jetën shefit të logjistikës së UÇK-së Ilir Konushevci dhe mjekut tropojan Hazir Mala. Ilir Konushevci, i njohur me pseudonimin “Mërgimi” ishte furnitori kryesor i guerrilasve në Kosovë. Konushevci ishte lidhja më e fortë e Haklajve për kalimin e arsenalit luftarak matanë kufirit. Vrasja e tij më 9 maj 1998, pranë fshatit të vogël Miliskajë, në aksin rrugor Qafë Mali-Bajram Curri ka mbetur ende një mister.
Prita Mbrëmjen e 8 majit 1998
Ilir Konushevci, miku i tij, mjeku tropojan Hazir Mala dhe një pjestar i UÇK-së që shërbente si shofer, ishin nisur me një kamion me armë në drejtim të Bajram Currit. Për të shmangur ekspozimin dhe kontrollet e policisë ata janë nisur sapo ka rënë nata dhe zgjodhën rrugën e vështirë të Qafë Malit. Rreth orës 02.00 pas mesnate, kamioni ka ndeshur në një pengesë që u kishte bllokuar rrugën sapo kalon fshatin Miliskajë. Një grup personash të armatosur ka qëlluar drejt kamionit, nga një shkëmb i thepisur anës rrugës, duke plagosur shoferin e kamionit dhe kosovarin Ilir Konushevci. Si rezultat i zjarrit të hapur nga Konushevci është plagosur rëndë dhe më pas ka gjetur vdekjen një nga autorët e pritës, i cili më pas rezultoi se ishte ishte nga Tropoja. Shoferi i kamionit është tërhequr duke hapur zjarr në një pozicion më të sigurt dhe ka mundur ti mbijetojë pritës. Ndërsa mjeku 60-vjeçar Hazir Mala ka hedhur mbi shpinë Konushevcin e plagosur dhe është nisur drejt fshatit më të afërt për të kërkuar ndihmë. Mala ka ecur për më shumë se një orë me Konushevcin e plagosur mbi shpinë, deri sa ka ndeshur serish në autorët e pritës. Këtë radhë sulmi ndaj tyre ka qenë vdekjeprurës dhe trupat u janë bërë shoshë nga plumbat.