Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova ka thënë se figurën botërore të solidaritetit, Nënë Terezën e ka pasur inspirim e shembull për t’u ndjekur ndërsa e kishte takuar vetëm një herë në Romë.
Në një intervistë për Radio Vatikanin, Presidenti i parë i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ka thënë se Nënë Tereza është sinkronizimi i gjithë historisë shekullore të shqiptareve ndërsa ka shtuar se ajo është simbol për popullin shqiptar.
“Nënë Tereza ka qenë një grua simbol për të gjitha gratë shqiptare jo vetëm në Kosovë për në të gjitha viset shqiptare. Prandaj unë si kryetar i Kosovës mund të them emër të grave, femrave dhe burrave të vendit se Nënë Tereza ka qenë një simbol si në kohëra të vështira ashtu edhe sot se si duhet të punohet në bazë të dashurisë, bamirësisë dhe solidaritetit”, ishte shprehur presidenti Rugova për Radio Vatikanin.
“Mua më ka frymëzuar aq shumë edhe gjatë kohës sa merrem edhe me punë të shtetit të Kosovës dhe që kemi ndërtuar shtetin modern të Kosovës, pra po behën disa vite që Nënë Terezën e kam pasur si shembull të dashurisë, paqes, mirëkuptimit mes njerëzve dhe shërbimit ndaj popullit të vet”, kishte thënë Rugova, ndërsa ka treguar se edhe pse veprën e saj e njeh shumë mirë, vetëm një herë kishte pasur rastin që ta takoi rastësisht në aeroportin e Romës, ku i ishte prezantuar si President i Kosovës, ndërsa ajo i kishte dhënë urimet më të mira për vendin