Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga ngjarja e ndodhur një ditë më parë në Kavajë, ku dy persona vranë njëri-tjetrin pas një sherri banal.
Dy 43 vjeçarët Edmond (Armand) Gosa dhe Altin (Sali) Rexha, që mbetën të vrarë pasditen e djeshme ishin konfliktuar edhe më herët me njëri-tjetrin.
Ata u takuan në një lokal ku fillimisht kanë debatuar me fjalë. Më pas, Gosa e ka qëlluar me thikë Rexhën ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në prezencë të fëmijës 3 vjeçar të Rexhës.
Konflikti mes tyre ka nisur pas ngacmimeve të vazhdueshme të Edmond Gosës ndaj Rexhës.
“Shko në Kukës atje ku ke familjen. Nuk keni punë ju veriorët në Kavajë”, mësohet t’i ketë thënë Gosa 43 vjeçarit kuksian, i cili jetonte prej kohësh në Kavajë.
Ndërkohë policia ka shoqëruar në polici rreth 10 persona si dëshmitarë okularë të ngjarjes dhe që mund të jenë në dijeni të motivit të ngjarjes.
Më pas ata janë lënë të lirë ndërkohë që policia vazhdon hetimet për të zbuluar shkakun e vërtetë të kësaj ngjarjeje.