Më datë 31 korrik, serbët lokalë në veri të Republikës së Kosovës kishin vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak si revoltë ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë për targa dhe dokumentet hyrje-dalje.
Përshkallëzimi i situatës çoi në pezullim të përkohshëm të masës së reciprocitetit me Serbinë, më saktë vendimi u shty për një periudhë 30 ditore nga qeveria e Kosovës.
1 shtatori është datë kur Kosova do ta rifillojë zbatimin e reciprocitetit me Serbinë. Por, në rast të eskalimit të dhunës në veri të Kosovës, a mundet FSK të ndërhyjë për të evituar trazirat?
Ish- Gjenerallejtënant Kadri Kastrati vlerëson se FSK nuk duhet të angazhohet në Veri të vendit edhe nëse eskalon situata, vetëm nëse një gjë të tillë e kërkon Presidentja e Vendit.
“Mendimi im eshte se FSK nuk do te angazhohet ne veri edhe nese eskalon situate. Komandant suprem eshte presidentja e R te Kosoves dhe nese ajo kerkon qe fsk te angazhohet ajo duhet te angazhohet” – tha ai.
Kastrati nënvizoi edhe njëherë misionin që kanë Forcat e Sigurisë së Kosovës.
“FSK një prej detyrave që ka në misionin e vet është që të mbështesin autoritetet qëndrore dhe ato lokale. Nuk e ka në mision që të merret me detyra të brendshme sepse ajo është punë për policinë e Kosovës” – përfundoi Kastrati.
Me datë 18 të këtij muaji, Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar ndaras me shefin për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ndërsa më pas kanë mbajtur edhe takim trepalësh në të cilën takim nuk pati përshëndetje e shtrëngim duarsh.
Megjithatë, pavarësisht takimeve, nuk u arrit marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa u përket çështjes së targave dhe dokumenteve për hyrje-dalje në kufi.