Kurti ka mbështetje amerikane rreth masave të reja ndaj Serbisë, vlerësoi ish-kryediplomati serb, Vladislav Jovanoviç.
Për të përditshmen beogradase “Novosti” – gazetë kjo që mirëmban narrativen ruse – ai tha se ShBA synon t’i arrijë tri qëllime në rajon.
“Qëllimi i parë i ShBA-së është që ne të pranojmë realitetin e ri, kjo pra, pavarësia e Kosovës me të drejtë për t’u anëtarësuar në Kombe të Bashkuara”, tha ai.
Gjëja e dytë, sipas tij, është “të qetësojë” rajonin serb të Bosnjës, me çka do të arrihej “unifikimi i Bosnje-Hercegovinës”.
E treta, dhe më e rëndësishmja, sipas tij, “është të na e heqin topin e bashkëpunimit me Kinën dhe Rusinë prej dore”, në mënyrë që Serbia “të përgatitet për partneritet me NATO-n dhe BE-në”.
“Çmimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të jetë njohja e Kosovës”, tha Vladislav Jovanoviç.
Në dritë të kësaj, sipas ish-kryediplomatit, ShBA “e lejoi Kurtin të shkaktojë këso acarimesh dhe të nxjerrë reagime të ashpra nga ana jonë”.
Masat e reja të qeverisë së Kosovës
Kosova ka vendosur të ndalojë targat ilegale të lëshuara nga MPB-ja serbe si dhe ka vendosur reciprocitet rreth dokumenteve të udhëtimit për shtetasit serb – masë kjo që Serbia e ka aplikuar për dhjetëra vite ndaj qytetarëve të Kosovës.
Megjithëkëtë, me kërkesë amerikane dhe evropiane dhe për shkak të fushatës së egër dezinformuese e luftës hibride ruse, qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë zbatimit e masave për 30 ditë.
ShBA dhe vende të BE-së kanë mbështetur si krejtësisht legjitime dhe konsistente me Marrëveshjen e Brukselit masat e reja të qeverisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë.