Presidenti amerikan, Joe Biden, të mërkurën nisi vizitën e parë në Lindjen e Mesme që kur mori detyrën, duke u ofruar liderëve të shqetësuar izraelitë garanci të forta për vendosmërinë e tij për ta ndaluar programin bërthamor në rritje të Iranit, duke theksuar se ai do të ishte i gatshëm të përdorte forcën “si mjetin e fundit”.
Komentet e tij u publikuan disa orë pasi liderët politikë e mirëpritën Bidenin në tepihun e kuq në aeroportin e Tel Avivit, edhe pse intervista ishte kryer para se presidenti të largohej nga Washingtoni me median “Channel 12” të Izraelit.
“Gjëja e vetme më e keqe se Irani që ekziston tani është një Iran me armë bërthamore”, ka thënë Bideni. I pyetur për përdorimin e forcës ushtarake kundër Iranit, Bideni tha, “Nëse kjo do të ishte zgjidhja e fundit, po”.
Aleati i SHBA-së, Izraeli, e konsideron Iranin si armikun më të madh, për shkak të programit bërthamor, thirrjeve për shkatërrim të Izraelit dhe mbështetjes së tij për grupet armiqësore ushtarake përreth rajonit.
SHBA-ja dhe Izraeli pritet të enjten të zbulojnë një deklaratë të përbashkët që thellon lidhjet e tyre ushtarake dhe fuqizimin e thirrjeve për të ndërmarrë veprim ushtarak për ta ndaluar programin bërthamor të Iranit.
Një zyrtar izraelit tha se të dyja vendet do të përkushtohen në “përdorimin e të gjitha elementeve të fuqisë kombëtare kundër kërcënimit bërthamor iranian”.
Biden: Trumpi bëri gabim trashanik kur tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka cilësuar si gabim trashanik vendimin e paraardhësit të tij, Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
Në një intervistë për “Channel 12 News” të Izraelit, e regjistruar para udhëtimit katër-ditor të Bidenit në Izrael dhe Arabi Saudite, presidenti amerikan shtoi se Irani tani është më afër krijimit të një arme bërthamore.
Komentet e presidentit vijnë në mes të tensioneve në rritje me Iranin.
Derisa kritikoi politikën e jashtme të administratës Trump, ai theksoi se udhëtimi i tij në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Arabinë Saudite, ka për qëllim punën drejt stabilitetit në rajon.