Është mbajtur ceremonia e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion që po jepet për herë të dytë nga Izraeli.
Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, drejtori i HANDIKPSI’it, Afrim Maliqi dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka falënderuar Izraelin për këtë donacion, raporton RTKlive.
“Jemi të lumtur për bashkëpunimin me shtetin Izrael dhe të lumtur që këtë ndihmë do ta gëzojnë fëmijët. Këtë vit qeveria ka shpallur si viti i personave me nevoja të veçanta dhe do të angazhohemi maksimalisht që ta lehtësojmë jetën e qytetareve pa dallim”, tha ai.
Kurse drejtori i HANDIKOSI’it, Afrim Maliqi, tha se e mirëpresin këtë donacion. “Ky donacion do të shpërndahet në Prishtinë dhe në komuna të tjera. Po ashtu do të bashkëpunojmë edhe me pediatrinë për të parë nevojat të cilat do t’i mbulojë ky donacion. Këtë donacion do ta gëzojnë fëmijët me nevoja të veçanta. Personat me nevoja të veçanta ballafaqohen me mungesë të infrastrukturës dhe pak gëzojnë ndihma të tjera ani pse kjo kategori është mjaftë optimiste përkundër vështirësive me të cilat përballen”, tha ai. /RTK