Judah: Problemi demografik, rreziku më i madh për Ballkanin

Sipas gazetarit britanik Tim Judah problemi më i madh për vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, është ai demografik.

Ai ka folur edhe për krizën politike në Kosovë, duke e cilësuar si shumë të rrezikshme përplasjen që po e bëjnë politikanët në kohë pandemie.

“Po, kjo më duket mua e jashtëzakonshme që në këtë kohë, kur çdo gjë duhet të jetë e përqendruar në një gjë, që është luftimi i virusit, politikanët e Kosovës, për çfarëdo qoftë arsye, kanë vendosur se tani është koha vërtetë e mirë që të kenë krizë politike. Andaj, mendoj, duket vërtetë e paparamendueshme dhe, sigurisht, e rrezikshme, sepse, ndoshta njerëzit do të vdesin, për shkak se politikanët tuaj, liderët tuaj, nuk janë po përdorin çdo gjë që kanë në zgjidhjen e kësaj krize por e kanë pjesën e madhe të vëmendjes të kthyer anash nga kjo krizë politike”, ka thënë Judah.

Megjithatë, ai thotë se kjo nuk është shumë befasuese për të, porse është zhgënjyese.

“Po, mirë. Ndoshta nuk do të duhej të jem i befasuar. Por, më lejo ta them kështu, ta përdori fjalën zhgënjim, në këtë rast. Si ta them… natyrisht që është qesharake, është qesharake. I kuptoj të gjitha arsyet, vërtet nuk dua të përfshihem – jam vetëm gazetar – dhe nuk dua të përfshihem duke thënë se çka është e drejtë e çka jo kjo nuk është puna ime. Puna ime si gazetar është të raportoj për botën e jashtme. Por, natyrisht, e dini, si dikush që e vështron këtë rajon kohë të gjatë, sigurisht se është frustruese dhe, e dini, zhgënjyese”, ka thënë Judah në emisionin Desku.

Sipas tij problemi më i madh është ai demografik.

“Le t’i lëmë anash për momentin pandeminë dhe efektet e saj. Unë vërtet jam bindur në disa prej viteve të fundit se ky problemi demografik është problemi më i madh me të cilin përballet rajoni. Dhe këtu nuk ka përgjigje të lehta. Në fakt, ndoshta edhe nuk ka përgjigje! Nuk e di! Secili shtet, ndoshta me përjashtimin e Sllovenisë, ta lëmë Slloveninë anash, por secili shtet tjetër në territorin e ish-Jugosllavisë, plus Shqipëria, plus Rumania, plus Bullgaria, plus Moldavia, dhe Greqia ndoshta po ashtu… sigurisht Greqia, por të gjitha këto vende po vuajnë nga i njëjti problem, që mund të përshkruhet: popullatë në mplakje, emigrimi dhe tani reduktimi i popullatës. Dhe kjo vërtet nuk ka ndodhur kurrë më parë në histori”, ka thënë Judah.

Sipas tij edhe në të kaluarën gjithmonë ka pasur emigrim, ka pasur emigrim të madh nga vendet e Ballkanit, në fakt nga të gjitha vendet e Evropës. Por, kjo sipas tij nuk kishte rëndësi në të kaluarën, sepse njerëzit kishin, kur gratë kishin pesë fëmijë, apo shtatë fëmijë kjo vërtetë nuk kishte rëndësi, ndoshta ishte gjë e mirë, sepse nënkuptonte se kishte më shumë tokë dhe kishte më shumë hapësirë.

“Por, vërtet mendoj se tani kjo bëhet një problem kritik. Ajo që dua të shpjegoj se secili është duke vuajtur nga trendët e njëjtë. Por, fakt është se secili është në një nivel të ndryshëm në këtë rrëfim. Andaj, ju duhet ta imagjinoni secilin shtet si një vagon në një tren dhe aty ai me një popullatë vërtet të moshuar është në krye të trenit, dhe Kosova me një popullatë relativisht të re është vagoni i fundit, por secili po lëviz në të njëjtin drejtim”, ka thënë Judah.

Ai shton se kjo po na shpie tashmë në mungesë të fuqisë punëtore në gjithë rajonin dhe do të shpjerë apo edhe tashmë shpien në probleme të mëdha, meqë shpie në largimin e një numri të madh të popullatës, të punësuarve, të rinjve, njerëzve të arsimuar.

“Por, e dini, është shumë e vështirë të dihet se çka duhet bërë për këtë. Kjo është Evropa moderne, kjo është bota moderne, nuk mund t’i mbyllni njerëzit sërish, nuk mund t’i mbyllni në vendet e tyre dhe nuk mendoj se ka përgjigje të lehta. Nuk e di vërtetë se cilat janë përgjigjet. Vetëm ndiej se puna ime si gazetar është që ta bëj punën, t’i gjej faktet, t’i paraqes faktet në mënyrë gjithëpërfshirëse para lexuesve dhe audiencës, por mendoj se kjo humbje e popullatës, në disa vende – Bosnja ndoshta, nuk i kam shifrat para vetes, por për shembull Bosnja ka humbur numër të madh të popullatës. Serbia po e humb popullatën. Edhe Kosova ka humbur popullatën, po ashtu. Dhe mendoj se në disa nga vitet e ardhshme do të shohim se një numër i madh i popullatës, shqiptarë dhe maqedonas, e kanë braktisur Maqedoninë, po ashtu. Dhe, në aspektin ekonomik dhe social, kjo është vërtet një çështje shumë serioze”, u shpreh Judah.

Por, një gjë e tillë, sipas tij jo domosdoshmërisht është logjike që e gjithë kjo do të shpjerë në konfrontim, sepse “mendoj se shumë njerëz, gjenerata më e re, njerëz që mund të përplasen, në fakt do të largohen. Ky ishte rasti deri para dy muajsh. Tani gjërat mund të jenë shumë më ndryshe. Siç e thashë, kur të dalim nga kjo krizë këta njerëz ndoshta nuk do të mund të largohen më. Shumë njerëz ndodh se do të duhen të kthehen për shkak se kanë humbur vendet e tyre të punës. Këtë gjë nuk e dimë”.

Por, sipas tij, e gjitha çon në stagnim dhe varfëri.

“Këtë e mendoj. Por nuk mendoj se gjithsesi çon në konflikt”, ka thënë ai.