Kandidati për president në Francë: Muslimanët, të asimilohen e të heqin dorë nga feja!

Kandidati për president në Francë, Eric Zemmour tha se muslimanët që jetojnë në Francë duhet të asimilohen nëse duan të jetojnë në vend.

Duke nënvizuar se ai nuk bën “dallime midis islamizmit dhe Islamit”, por më tepër midis Islamit dhe muslimanëve individualë, Zemmour argumentoi se myslimanët francezë duhet të asimilohen dhe “të heqin dorë” nga praktika e fesë që ai tha se “imponon një kod ligjor dhe politik” mbi ta.

Në një intervistë të transmetuar në kanalin televiziv TF1, Zemmour u zotua se do të jetë “presidenti i të gjithë popullit francez” duke përfshirë myslimanët francezë, nëse ai fiton zgjedhjet e planifikuara për në prill 2022.

Duke hedhur poshtë vërejtjet e mëparshme që ai bëri për gratë gjatë viteve të tij si gazetar, ai tha se ishte kandidati më i mirë edhe për votueset femra, dhe se gratë sot nuk kërcënoheshin nga një “patriarki hipotetike e bardhë”.

Ai është përballur gjithashtu me veprime ligjore për komente raciste dhe gjuhë të urrejtjes fetare, duke përfshirë një dënim të vitit 2010 për të thënë se shumica e tregtarëve të drogës ishin “zezakë dhe arabë”.

Në shtator 2019, ai u gjobit me 3,000 euro (3,500 dollarë) për një fyerje të urryer kundër muslimanëve gjatë një paraqitjeje televizive.

Zemmour lindi në Paris në vitin 1958 në një familje hebreje me origjinë algjeriane që erdhi në Francë gjatë Luftës Algjeriane për Pavarësi.

63-vjeçari filloi një karrierë në gazetari në Quotidien de Paris në 1994, duke iu bashkuar gazetës së krahut të djathtë Le Figaro në 1996.