Presidenti amerikan Joe Biden është duke mbajtur një deklaratë për mediat rreth situatës së krijuar në Afganistan pas tërheqjes së trupave amerikane dhe aleatëve. Gjatë fjalës së tij, Biden u premtoi amerikanëve që ndodhen në Afganistan se administrata e tij do të bëjë gjithçka për t’i sjellë në shtëpi.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se do të ketë kohë për të shqyrtuar kritikat dhe shtoi se për momentin synimi i tij kryesor është evakuimi i personave të rrezikuar.
Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu se SHBA është në kontakt të vazhdueshëm me talebanët. Ai deklaroi se grupit militant që tani kontrollon vendin i është thënë se do të presin një “përgjigje të shpejtë dhe të fuqishme” nga SHBA nëse bëhet ndonjë sulm ndaj amerikanëve.
Ndërsa, për kohën e “pushimit” që u bë në aeroportin e Kabulit për rreth tetë orë, Biden tha se u bë për të kaluar nëpër procedura personat e evakuuar.
“Komandanti ynë në Kabul ka dhënë urdhrin që procesi të rinisë.”