Deputetët britanikë sot do të mbajnë një debat mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Këtë debat e ka futur në agjendë deputetja Alicia Kearns, e cila është edhe në krye të Komitetit për Punë të Jashtme.
Mbretëria e Bashkuar duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje Ballkanit në mes rreziqeve të destabilizimit në rajonin europian, ka paralajmëruar Kearns.
Deputetja konservatore Alicia Kearns do të udhëheqë një debat në House of Commons për rajonin juglindor të Europës të enjten, duke paralajmëruar se ai mund të bëhet vendi i një “konflikti të tretë global, të madh”, së bashku me Ukrainën dhe Gazën, nëse nuk ndërmerren veprime parandaluese, siç shkruan “The Standard”.
“Ballkani ka rëndësi dhe nëse ne e shpërfillim atë do të përfundojmë duke pasë një zjarr në pragun tonë”, tha ajo për agjencinë e lajmeve PA.
“Kjo ka rëndësi jo vetëm për sigurinë europiane, sepse në thelb është oborri ynë i zgjeruar dhe nëse ka krizë në Ballkan, ne do ta ndiejmë atë këtu, do të ndikojë tek të gjithë ne; dhe ne nuk mund të përballojmë një konflikt të tretë global, të madh dhe kjo është pikërisht ajo që do të ndodhte”.
Kearns e përmendi vizitën e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi në ditët e fundit ndër zhvillimet që sugjerojnë se tensionet rreth rajonit mund të rriten.
Një qeveri e re pro-ruse ka ardhur në pushtet në Serbi, e cila disa frikësohen se mund të çojë në përplasje me Perëndimin, shkruan kjo gazetë britanike.
Diskutimet në OKB për ta shënuar zyrtarisht masakrën e Srebrenicës në Bosnje dhe Hercegovinë së fundmi janë dëshmuar gjithashtu si një pikë mosmarrëveshjeje, me Rusinë dhe Serbinë që kërkojnë të kundërshtojnë një rezolutë për këtë çështje.
Ndërkohë Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, është në bisedime për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, duke sinjalizuar një marrëdhënie më të ngushtë me vendet perëndimore.
Kearns sugjeroi se Rusia synon të mbjellë kaos në rajon.
“E gjitha ka të bëjë me krijimin e sa më shumë që munden të teatrove të konfliktit. Unë kam mbajtur shumë fjalime ku kam folur për faktin se për Rusinë, nëse Ukraina nuk do të shkonte mirë, unë do të destabilizoja Ballkanin”.
Ndërsa ajo pranoi se qeveria britanike ishte e angazhuar në përpjekjet e vazhdueshme politike në Ukrainë dhe Izrael, ndër të tjera, ajo paralajmëroi nevojën për të ndërmarrë hapa parandalues edhe në Ballkan.
“Politika e jashtme ju vjen shpejt, por problemi është se shumë shpesh sekretarët e jashtëm mendojnë se politika e jashtme është diçka që ju thjesht i përgjigjeni”, tha ajo.
“Nuk është, ne kemi aftësinë për ta formësuar atë dhe kemi aftësinë për të zbutur ekseset më të këqija. Ne duhet të zgjedhim në mënyrë aktive për ta bërë këtë”.